Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi tha se një tjetër sulm ka goditur qytetin perëndimor të Ukrainës. “Si rezultat i sulmeve të reja me raketa në Lviv, dëme të konsiderueshme u shkaktuan në objektet e infrastrukturës. Banesat nuk janë dëmtuar. Vazhdon shuarja e zjarrit.
Shërbimet përkatëse po punojnë në terren”, ka shkruar para pak minutash Sadovyi në një postim në Tëitter. Lviv, është qytet pranë kufirit me Poloninë. Polonia është anëtare e NATO-s. Në Varshavë të Polonisë, aktualisht për vizitë është presidenti amerikan, Joe Biden.
Në përmbyllje të vizitës së tij dyditore në Poloni, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Ukraina nuk duhet të frikësohet pasi që nuk do të jetë e vetme në luftën e saj.
Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka përdorur gënjeshtra si justifikime për të pushtuar Ukrainën. Duke ushtruar agresion mbi Ukrainën, Biden tha se Rusia, ka mbytur demokracinë.
“Në këtë betejë ne duhet t’i kemi sytë hapur. Kjo betejë nuk do të fitohet as për disa ditë e as për disa muaj. Ne duhet të forcojmë veten për luftën e gjatë përpara nesh”, tha Biden në fjalimin e tij.