Drejtësia vazhdon hetimet lidhur me tragjedinë që ndodhi dy net më parë në komisariatin e policisë në Kamëz, ku Dilaver Idrizi dhe Arben Mici i vunë zjarrin qelisë për t’u arratisur.
Si pasojë e flakëve, Arben Mici 26-vjeç humbi jetën. Paraprakisht, mësohet se zjarrfikësja ka shkuar gati 30 minuta me vonesë.
Dy policët që ishin në shërbim tentuan të shuajnë vetë zjarrin, por kur flakët u përhapën telefonuan zjarrfikësen.
I vëllai i Arben Micit, i cili në 5 vitet e fundit u shoqërua 22 herë për dhunë në familje akuzoi shtetin për ngjarjen. Xhevahir Mici u shpreh se vëllai ishte i sëmurë, por spitali nuk e kishte shtruar.
“Deshëm ta çonim në spital të burgut se spitali nuk e mbajti. Vëllai ishte në gjendje depresioni, policia e shoqëroi si person normal.
E vonuan dërgimin në spital të burgut, e mbajtën në komisariat, nuk di nëse i dhanë ilaçet.
Nga shteti duam të dimë pse ndodhi kjo gjë, nëse do ishte në spital të burgut s’do kishte vdekur” tha ai.