Komisioni i Rithemelimit të PD-së, drejtuar nga Sali Berisha e cilësoi tragjike ngjarjen e ndodhur në komisariatin e Kamzës, ku humbi jetën një 26-vjeçar dhe mbetën të plagosur 2 të tjerë, mes tyre një efektiv policie. Komisioni vijon më tej duke deklaruar se për Partinë Demokratike përgjegjësi direkte për këtë vdekje tragjike nga zjarri i të riut në dhomat e izolimit ka Ministria e Brendshme dhe Komisariati Nr 5 i Kamzës
“Ngjarje tragjike që ngjitet në kufijtë e vrasjes shtetërore ka ndodhur mbrëmë në Komisariatin e Kamzës! 26-vjeçari nga Kamza, Arben Mici, vdiq tragjikisht në dhomat e paraburgimit në Komisariatin nr. 5, Kamëz, i djegur ose i asfiksuar nga rënia e zjarrit në këtë komisariat! Ndonëse Avokati i Popullit ka rekomanduar mbylljen urgjente të dhomave të izolimit në këtë komisariat pasi kushtet janë çnjerëzore, askush nuk ka zbatuar rekomandimet e këtij institucioni. Të gjitha të dhënat flasin se në kohën që zjarri i merrte jetën të riut, policët kanë qenë duke parë ndeshjen Spanjë-Shqipëri dhe reagimi i tyre ka qenë tepër vonuar.
Partia Demokratike deklaron se përgjegjësi direkte për këtë vdekje tragjike nga zjarri i të riut në dhomat e izolimit ka Ministria e Brendshme dhe Komisariati Nr 5 i Kamzës. Në një vend normal një ministër mund të japë dorëheqjen vetëm për shkak të një udhëtimi të pajustifikuar, ndërsa në Shqipëri, ministri i Brendshëm nuk jep dorëheqjen edhe kur humbasin jetën individë brenda institucioneve të kontrolluara prej tij. Partia Demokratike shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së viktimës, e ndërsa dënon këtë ngjarje të rëndë, kërkon vendosjen para përgjegjësisë të autorëve të kësaj vrasjeje shtetërore në Komisariatin e Policisë!”, thuhet në reagimin e Komisionit të Rithemelimit të PD.