-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kryeministri i Kosovës “harroi” dialogun e brendshëm me serbët 

Kryesoret

Edhe pse kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, që nga viti 2019 paralajmëronte dialogun me serbët e Kosovës, me vlerësimin se një dialog i tillë është shumë më i rëndësishëm se ai me Serbinë në Bruksel, ai nuk ka ndodhur.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), në vitin 2019, si kandidat për kryeministër, Kurti kishte thënë se ishte optimist për bisedimet me komunitetin serb në Kosovë dhe se ai bashkë me serbët “që nuk janë mjete të Beogradit” do të ndërtonin një projekt të ri të dialogut të brendshëm.

Në anën tjetër, një vit pas formimit të Qeverisë së dytë të kryesuar nga Albin Kurti, pjesëtarë të komunitetit serb i thanë Radios Evropa e Lirë se janë diskriminuar nga ana e kryeministri aktual të Kosovës.

Njëri prej tyre është Sërgjani nga Graçanica, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në afërsi të Prishtinës, i cili konsideron se kryeministri i Kosovës nuk ka bërë asgjë për t’u afruar me komunitetin serb në Kosovë dhe se serbët për të janë “qytetarë të dorës së tretë”.

Por, të premten në mbrëmje, më 25 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë që të “besojnë më shumë në Qeverinë e Kosovës” dhe të mos ndikohen nga Serbia.

Kjo ftesë për serbët nga Kosova ka arritur vetëm pak orë pasi u mbajtën protesta në Graçanicë, afër Prishtinës, si dhe në Mitrovicë të Veriut, në veri të Kosovës, me parullat “Kurti, shkatërrove marrëveshjen e Brukselit, shkatërrove gjithçka” dhe “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova”.

Protestat, në krye të së cilave ishin përfaqësuesit politikë të Listës Serbe, u mbajtën kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Kosovë, të cilat janë paralajmëruar për 3 prill.

Lista Serbe është partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit dhe presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një video të regjistruar në gjuhën serbe, kryeministri Kurti u bëri thirrje serbëve që të mos ndikohen nga “regjimi autoritar në Beograd, i cili nuk është i interesuar për të drejtat apo mirëqenien e serbëve në Kosovë”.

Ai theksoi se dera e tij është gjithmonë e hapur për ata që besojnë se po u shkelen të drejtat.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a do të nisë së shpejti dialogu me serbët e Kosovës, të cilin e ka paralajmëruar kryeministri Kurti, por deri në publikimin e këtij teksti, përgjigja nuk është kthyer.

Ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a ka tentuar kryeministri Kurti të dialogojë me komunitetin serb, përgjigja nuk ka ardhur as nga Lista Serbe.

Branimir Stojanoviq, njëri nga themeluesit e Listës Serbe dhe i cili më vonë u largua nga ajo, konsideron se thirrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drejtuar serbëve për t’i besuar Qeverisë së tij, është “vetëm një trik marketingu”.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Stojanoviq ishte kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Graçanicës.

Si të fitohet besimi i serbëve?

Siç vlerëson Stojanoviq, fakti që Kurti iu drejtua serbëve në gjuhën e tyre amtare, nuk do të thotë asgjë. Ai thekson se nëse Kurti dëshiron besimin e tyre, duhet t’i kthejë 24 hektarë tokë dhe pyll të Manastirit të Deçanit, siç ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2018 ose të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit.

“Ky mbase do të ishte një sinjal se dikush vërtetë dëshiron që të ndryshojë raporti ndaj serbëve në këto hapësira. Gjë tjetër e rëndësishme është përfaqësimi në institucione, veçanërisht përfaqësimi në ndërmarrjet publike. Do të ishte mirë që ai (Kurti) ose dikush tjetër të merrte guximin dhe të punësonte serbët në Termocentralin në Obiliq”, tha Stojanoviq.

Lista Serbe, si dhe gjyqtarët dhe prokurorët serbë, kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës deri në një njoftim të dytë, për shkak të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, e cila mori pjesë në një takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, në protestën në Graçanicë tha se “duhet ndalur dhuna institucionale ndaj serbëve”.

Branimir Stojanoviq e sheh këtë “pezullim të punës” si një mesazh simbolik dhe nuk beson se një gjë e tillë do të ndryshojë situatën praktike në terren.

“Është e qartë se elita politike në Prishtinë thjesht po përdor narrativën se serbët nuk kanë çfarë të kërkojnë (në Kosovë) dhe se duhet të shpresojnë në mëshirë”, tha Stojanoviq, duke shtuar se edhe bashkësia ndërkombëtare është fajtore për situatën aktuale.

Demhasaj: Tashmë është vonë për dialog me serbët e Kosovës

Drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, konstaton se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë nuk i besojnë Qeverisë së Kosovës dhe si shembull për një gjë të tillë e përmend “pezullimin e punës” së Listës Serbe.

Ai konsideron se ky opsion politik e ka marrë një vendim të tillë nën drejtimin e Beogradit dhe se është mjaft e qartë se nuk i beson Qeverisë së Kosovës. Por, siç shton ai, qytetarët e zakonshëm, megjithatë, duhet ndarë nga përfaqësuesit politikë të serbëve.

“Serbët e Kosovës duhet ndarë nga ndikimi dhe lidershipi i Qeverisë serbe, për të fituar më shumë besim te Qeveria e Kosovës, sepse kjo është mënyra më e mirë e mundshme për t’i përmbushur kërkesat e serbëve që jetojnë në Kosovë”, thotë Demhasaj.

Megjithatë, ai shton se Qeveria aktuale e Kosovës ka dështuar kur bëhet fjalë për dialogun e brendshëm me pjesëtarët e komunitetit serb.

‘Dialogu me serbët e Kosovës është dashur të nisë në fillim të (mandatit të) Qeverisë”, thekson Demhasaj.

Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës për herë të parë në fillim të shkurtit të vitit 2020, por qeveria e tij u rrëzua në fund të marsit me kërkesë të partnerit të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, pas një viti, Kurti u bë sërish kryeministër, pas zgjedhjeve të parakohshme, të cilat u mbajtën në shkurt të vitit të kaluar. Këtë herë ai arriti një fitore bindëse dhe formoi Qeverinë pa koalicion me partitë kryesore shqiptare.

Markoviq: Serbët kishin pritje nga Kurti

Ndërkaq, Igor Markoviq nga organizata joqeveritare “Aktiv” nga Mitrovica e Veriut, thekson se komuniteti serb kishte ndaj Kurtit “një lloj perceptimi pozitiv, sepse ai nuk i përkiste elitës së luftës në qarqet politike në Kosovë”.

Ai rikujton se Kurti në fushatë zgjedhor ka folur shpesh për “dialogun e brendshëm”, gjegjësisht dialogun me pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, por që ka rezultuar se është vetëm edhe “një premtim tjetër politik”.

Ai vlerëson se kryeministri aktual i Kosovës ka vendosur një “distancë” ndërmjet qeverisë së tij dhe serbëve nga Kosova dhe se i “injoron plotësisht” interesat e tyre.

“Ne ende nuk e dimë se çfarë dëshiron të arrijë Kurti me gjithçka që ka bërë deri më tani”, thotë Markoviq.

Ai, po ashtu, thekson se bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht kërkon nga Qeveria e Kurtit “respektimin e të drejtave të pakicave” dhe shton se kryeministri i Kosovës nuk po bën asgjë lidhur me këtë.

“Konstanta e tij në marrëdhëniet me serbët vlen edhe për marrëdhëniet e tij me bashkësinë ndërkombëtare. Ai (Albin Kurti) thjesht ka vërejtur një hapësirë manovrimi dhe e ka shfrytëzuar në maksimum”, thekson Markoviq.

Vendet e Quint-it kritikuan ashpër Kosovën për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit.

Po ashtu, në mesin e janarit të sivjetmë, sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, deklaroi në një letër drejtuar kryeministrit Albin Kurti, se autoritetet në Kosovë duhet t’i respektojnë të drejtat e komuniteteve pakicë./ Marrë nga REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit