Alfred Balla do të jetë kryetari i ri i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi mori 10 vota pro, duke zëvendësuar në postin e rëndësishëm Gent Ibrahimin.
Por kush është Alfred Balla?
Balla është zgjedhur me vendimin Nr.19/2018, datë 08.02.2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë si përfaqësues i Shoqërisë Civile. Ai ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në vitin 1991 pranë “Universitetit të Tiranës”; studimet pasuniversitare, master shkencor në të drejtën penale në vitin 2012 pranë Universitetit “Justiniani I-rë” dhe mban titullin Doktor i Shkencave Juridike (e drejtë penale) nga viti 2020 pranë “Universitetit Europian të Tiranës”. Në vitet 1991-1998 ka punuar në detyrën e Prokurorit të sektorit gjyqësor, Zv/Prokurorit të Rrethit dhe Prokurorit të Rrethit në prokuroritë Fier e Lushnje. Në vitet 1998-2003 dhe 2007-2012 ka ushtruar profesionin e lirë si avokat. Në vitet 2003-2006 ka punuar pranë Këshillit të Ministrave si Inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit. Në vitet 2012-2017 ka punuar në pozicionin si Këshilltar Ligjor pranë Gjykatës së Lartë.
Gjatë viteve të punës është angazhuar në organizma jo-qeveritare të shoqërisë civile me fokus drejtësinë penale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut Z. Balla ka kryer një sërë trajnimesh profesionale brenda dhe jashtë shtetit. Ka ushtruar dhe ushtron aktualisht edhe detyrën e pedagogut të jashtëm pranë universiteteve të ndryshme në lëndët e drejtë zakonore, procedurë civile, e drejtë penale e posaçme dhe e përgjithshme, praktikë profesionale etj. Mandati i tij kushtetues 5-vjeçar përfundon në datën 18.12.2023