Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka paralajmëruar arrestime e disa zyrtarëve. Në një dalje për mediat, ai tregoi se Drejtoria Anti-Korrupsion ka aktualisht në proces një hetim për tjetërsimet dhe falsifikimet me pronat, kryesisht në bregdet.
Ministri Manja shtoi është shprehur se njësia antikorrupsion ka depozituar 15 kallëzime penale dhe është kërkuar hetim disiplinor për mbi 100 zyrtarë.
“Përmes ankesave të ardhur në drejtorinë antikorrupsion kemi hedhur dritë mbi shumë raste abuzive. Në saj të kësaj pune hetimore kemi dërguar më shumë se 15 kallëzime penale dhe kemi kërkuar hetimin disiplinor të mbi 100 zyrtarëve. Kemi vënë re mangësi serioze në kuadrin rregullator dhe do të merren masa ndaj zyrtarëve që shkelin rregullat. Lufta kundër korrupsionit ka në thelb përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve. Objektivi ynë të marrim masa konkrete që fenomenin abuziv ta shfarosim nga çdo institucion. Këto raste të hetuara do të trajtohen me seriozitetin e duhur nga institucionet e drejtësisë së re. Ne kemi identifikuar vatra të nxehta ku shfaqen rëndon fenomene abuzive. Kemi vërejtur neglizhencë të autoriteteve. Të gjitha këto na kanë mundësuar që sot të ushtrojmë vigjilencë dhe të vlerësojmë nivelin e riskut për spektrin e veprimtarisë së institucioneve ku niveli i korrupsionit është i lartë. Asnjë zyrtar dhe ish-zyrtar abuzues me detyrën e shtetit tashmë nuk duhet të ndihet i sigurt dhe as ta bëjnë gjumin e qetë. Hetimi, kallëzimi dhe aksioni i djeshëm ka ardhur pas kallëzimit të një qytetari. Dua të ftoj qytetarët se denoncimet nuk duhet t’i bëjnë vetëm pasi ata nuk zgjidhin hall. Nëse qytetari mbaron punë me zyrtarin dhe pastaj ankohet minimumi është bashkëpunëtor në nxitjen e korrupsionit në Shqipëri. Duhet ta zhdukim këtë mentalitetin e mbarimit të hallit me paligjshmëri apo duke paguar nën dorë. Drejtoria Anti-Korrupsion ka në proces një super hetim me të gjitha abuzimet me pronën publike dhe private nga veriu në jug me fokus të veçantë bregdetin. Ish-zyrtarët pas përfundimit të këtij hetimi do jenë në duart e SPAK,” ka thënë ministri.