Kosova ka pak gjasa që gjatë këtij viti të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian (BE), thotë profesori universitar Ibrahim Gashi.
Mirëpo ai pohon se duhet punuar ngushtë me partnerët dhe aleatët të cilat e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe e mbështesin në procesin e integrimit.
“Mirëpo mendoj që te statusit vendit kandidat, Kosova edhe pse do të duhej të ishte në këtë proces të ishte afër këtij procesi. Nuk është se jam shumë optimist se do ta marrin këtë status gjatë këtij viti. Sado që nuk duhet ndalur, duhet punuar, duhet të punohet ngushtë me partnerët, vendet e rëndësishme të Bashkimit Evropian që e kanë njohur e mbështetur Kosovën në proceset e integrimit të saj”.
Gashi thotë se nuk po lobohet sa duhet sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe thekson se ka ngecje në punën e ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Nuk mendoj që po lobohet sa duhet, nuk mendoj që në asnjë nga organizatat shumëpalëshe të rëndësishme ku Kosova duhet të jetë e anëtarësuar nuk është se po lobohet shumë. Është një konstatim i përgjithshëm se ka një ngecje në punën e Ministrisë së Jashtme në këto 4-5 vitet e fundit dhe për pasojë ne kemi ngecje të procesit të anëtarësimit”.
Ndërsa politologu Arbnor Sadiku thotë se pas luftës në Ukrainë, Kosova ka gjasa ta marrë statusin e kandidatit për në BE, por që do të jetë e vështirë.
“Nëse zbatohen procedurat le të themi që në një farë forme kanë ekzistuar nga vitet e kaluara, Kosova do ta ketë më të vështirë. Por pas luftës midis Ukrainës dhe Rusisë nëse Bashkimi Evropian ndryshon domethënë ndonjë tip të procedurave dhe bënë lëshime në kuptimin e atyre respektimit të disa procedurave që i kërkon BE-së, mendoj që nëse bënë një politik të përshpejtuar ndaj Kosovës atëherë le të themi dhe Ballkanit Perëndimor mund të jenë gjasat më të mëdha”.
“…nëse zbatohen ato masa dhe ato kritere që janë zbatuar më parë Kosova do ta ketë vështirë sepse siç e dini BE nuk është krejt vetëm organizatë administrative po varet shumë edhe konteksti politik, mirëqenia dhe gjendja ekonomike e një vendi”.
Sadiku për ministren aktuale të Punëve të Jashtme thotë se nuk i njeh problemet dhe angazhimet në politikën e jashtme.