Fëmijët e ndikuar nga lufta në Ukrainë rrezikohen të kenë dëmtime afatgjata në shëndetin e tyre mendor dhe fizik, thonë organizatat e bamirësisë. Eksperiencat gjatë konfliktit rrezikojnë të ekspozojnë fëmijët dhe familjet e tyre ndaj “stresit toksik”, i cili mund të shkaktojë dëme afatgjata. Sipas OKB-së, mbi 3.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që kur filloi lufta më 24 shkurt dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.
Një vajzë e vogël ukrainase po mësohet me shkollën e re dhe jetën e saj të re në Civita Castellana, rreth 56 kilometra pranë Romës.
Ajo dhe dy vëllezërit e saj janë ndër gjashtë fëmijët ukrainas që gjenden në këtë shkollë të menaxhuar nga murgeshat françeskane.
Ata janë me fat, familja e tyre është ribashkuar pasi iu larguan qytetit të tyre Stryi në fund të shkurtit.
Organizatat e bamirësisë, si Mjekët pa Kufij, thonë se volumi i madh i njerëzve që kalojnë kufirin rrit ngarkesën mbi shërbimet në vendet pritëse, të cilat mundohen sidoqoftë të japin mbështetje.
“Fatmirësisht, kemi parë shumë organizata që duan t’i ndihmojnë refugjatët ukrainas edhe me mbështetje për shëndetin mendor dhe psiko-social. Kryesorja në këto situata është të bëhen vlerësime të shpejta të situatës, të nevojave të njerëzve, eksperiencave që kanë kaluar, dhe të bashkëpunohet me organizatat e ndryshme për të plotësuar sa më shumë nga këto nevoja, sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë dr. Minja Westerlund, këshilltare e shëndetit mendor në organizatën “Mjekët pa Kufij”.
Mjekja pediatre Ayesha Kadir thotë se skenat që përjetojnë familjet gjatë luftës janë natyrisht traumatike dhe frika është një reagim normal.
“Dëgjimi i të shtënave, të shikosh godinat që shemben, njerëzit e dashur të plagosur apo të vdekur, këto janë gjëra shumë frikësuese dhe traumatike për fëmijët që i përjetojnë. Fëmijët e zhvendosur kanë humbur shtëpinë e tyre, rrjetin e tyre social, jetën normale; ajo çfarë e perceptonin si jetë normale është përmbysur”, thotë dr. Kadir.
Mjekët pediatër thonë se integrimi i fëmijëve në jetë të tilla normale, duke iu mundësuar të ndjekin mësimet dhe të luajnë me bashkëmoshatarët është mënyra më e mirë për të siguruar mirëqenien e tyre mendore dhe shëndetësore.
Hanna Kienzler, nga Qendra për Shoqërinë dhe Shëndetin Mendor në King’s College në Londër, ka bërë studime të popullsive refugjate, si refugjatët që iu larguan Kosovës gjatë luftës.
Ajo mendon se kujdesi më i mirë mund të ofrohet në komunitet, pasi streset më të shumta me të cilat përballen refugjatët janë në jetën e përditshme.
“Më e rëndësishme është mbështetja në komunitet, ofrimi i sigurisë, arsimit, një strukture, aktiviteteve jashtëshkollore, hapësirave ku mund të ndihen të sigurtë, hapësira ku mund të ndihen të guximshëm. Nëse problemet psikologjike vazhdojnë, atëherë hyn mbështetja më profesionale, e shëndetit mendor”, thotë zonja Kienzler.
Gjatë studimeve të saj, zonja Kienzler konstatoi se në rrezik më të madh për çrregullime të shëndetit mendor janë refugjatët që përballen me diskriminim, racizëm dhe varfëri.
“Kur nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, jetojnë në varfëri, kanë vështirësi në qasjen tek shërbimet për shkak të pengesave gjuhësore, kanë vështirësi t’u ofrojnë mbështetje fëmijëve, të gjitha këto rëndojnë mirëqenien e njerëzve”, thotë ajo.
Zonja Kienzler megjithatë paralajmëron se nuk duhet menduar si një situatë bardh e zi, ku duket qartë se ku përfundon trazira emocionale dhe ku fillojnë problemet klinike të shëndetit mendor.
“Mund të vështirësoheni dhe të jeni emocionalisht të paqëndrueshëm. Ashtu siç mund të jeni jashtëzakonisht të fortë dhe përpiqeni të ngriheni çdo mëngjes, të siguroheni që fëmijët tuaj kanë një strukturë, shkojnë në shkollë, bëjnë detyrat, se do të kenë një karrierë dhe një jetë krejt të ndryshme. Megjithatë, mund të thyheni herë pas here. Këtu kemi një botëkuptim më të thjeshtë se ç’duhet për shëndetin mendor, nëse jemi të sëmurë apo jo”, thotë zonja Keinzler.
Ajo paralajmëron se është e rëndësishme të kujtojmë se lufta nuk ndalon për refugjatët në momentin kur nënshkruhen marrëveshjet e paqes. Beteja për të ndihmuar familjet e tyre që të mbijetojnë vetëm sapo ka filluar. /VOA