Sanitarja e pallatit në Fier ku qëndronte i fshehur për gati një javë Nuredin Dumani, ka folur për mediat duke thënë se e njeh personin që e ka dhënë shtëpinë me qira.
Ajo tregon se më parë aty kishte jetuar një shtetas italian, ndërsa nga momenti që aty është vendosur Dumani nuk ka pasur më informacione.
“Mbrëmë pashë policinë me dronë me snajper, rreth e përqark, zhurma, të thirrura ‘policia, policia’, goditje të dyerve, nuk dinim se nga vinte ky sinjal, sot në mëngjes morëm vesh se kishte ndodhur një ngjarje. Tani unë i njoh mirë banorët dhe i njoh të gjithë se pastroj këtu. Aty ka banuar më herët një italian, ka qenë shumë i rregullt ai italiani, me pagesat me të gjitha, di që është shtëpia e atij Altinit, Altin Canaj, dhe ai shumë i rregullt. Kur mora vesh unë, para një jave kishte ikur ai italiani. Dëgjova që ia kishin dhënë një tjetri, por s’dinim gjë,”- tregon sanitarja.
Dumani u arrestua mbrëmjen e së martës nga policia, ndërsa kishte mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në Elbasan. Ai akuzohet si autor për disa vrasje, ndërsa njihet edhe si kundërshtar i Talo Çelës, dhe sipas policisë, dyshohet se ka vrarë dhe vëllanë e tij.