Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shqyrtuar masën e sigurisë ndaj Emin Shabani, i akuzuar në kuadër të një hetimi të SPAK për kontrabandë të mallrave me akcizë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Pas ankimit ndaj vendimit të shkallës së parë, gjykata vendosi zëvendësimin e masës “arrest në burg” me një masë më të lehtë sigurie.
Në vendimin e saj, Apeli i GJKKO-së caktoi ndaj të pandehurit “garanci pasurore” në vlerën 30 mijë euro, e cila duhet të depozitohet brenda një afati të përcaktuar, si dhe detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në organet e drejtësisë, deri në vijimin e procesit penal.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 07.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 122 akti, datë 28.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.Sh:
“Ankim kundër vendimit nr. 232, datë 26.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimin e masës shtrënguese “arrestit në burg” vënë me vendimin nr. 48, datë 27.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me një masë më të butë shtrënguese, duke bërë gjykata në rastin konkret dhe verifikimin e nevojave të sigurimit” dhe vendosi:
- Ndryshimin e Vendimit nr. 232, datë 26.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, të caktuar ndaj Z. E.Sh me Vendimin nr. 48, datë 27.05.2025 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 122, datë 30.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Caktimin ndaj Z. E.Sh të masës së sigurimit “Garancia pasurore”, sipas nenit 236 të Kodit të Procedurës Penale.
- Caktimin e shumës së garancisë pasurore 30.000 Euro, që familjarët apo avokati i Z. E.Sh duhet të dorëzojnë në një nga bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për llogari të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke caktuar si afat për depozitimin e kësaj shume deri në datën 31 Maj 2026.
- Në bazë dhe për zbatim të pikës 4 të nenit 236 dhe nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale, caktimin ndaj Z. E.Sh të masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
- Urdhërimin e Z. E.Sh të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore të caktuar për hetimin e këtij procedimi penal çdo ditë të hënë të parë të çdo muaji në orën 11:00.
- Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi, sipas pikës 5 të nenit 236 të Kodit të Procedurës Penale.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”.









