Kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka folur mbi veprimet e fundit të Kuvendit, për anulimin e mbledhjes së mandateve për të shqyrtuar çështjen mbi Bllakon.
Alibeaj ka shprehur habinë për ngjarjen e ndodhur dhe e ka konsideruar si të pa precedentë dhe antikushtetues veprimin e Kuvendit. Edhe pse Alqi Bllako dha dorëheqjen, sipas tij duhej me patjetër që ata të mblidheshin dhe të diskutonin dhe të vendosnin të gjithë së bashku.
“Prokuroria ka paraqitur këtë kërkesë për dhënien e autorizimit për heqjen e mandatit të deputetit Alqi Bllako. Pas kësaj kërkese ka pasur nga kryetarja e Kuvendit një urdhër për mbledhjen e Këshillit të Mandatave dhe deputeteve, ditën e sotme ore 18:00. Ende nuk ka shkuar ora 18:00, por në adresën tonë elektronike jo më shumë se 20 minuta më parë vjen një mesazh nga kryetarja e Kuvendit në mënyrën më antiligjore, ku është vendosur anullimi i mbledhjes së mandateve.
E çuditshme, e padëgjuar, në shkelje të kushtetutës dhe në shkelje të kompetencave të Këshillit të Mandateve. Pasi kryetarja e Kuvendit thërret Këshillin e Mandateve është ai që vendos dhënien e autorizimit ose jo është vetë Këshilli”, tha Alibeaj.
Ndërkohë që disa nga deputetet e grupit të PD-së kanë dërguar një shkresë në Kuvend ku kërkojnë që mbledhja të bëhet në orën 18.00, ditën e sotme.
Kërkesa është firmosur nga deputetët Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Greda Bardeli, Saimir Korreshi, Enkelejd Alibeaj.