Ditën e sotme zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në këtë mbledhje marrin pjesë edhe deputetët e Komisionit të Rithemelimit edhe pse nuk janë lajmëruar.
Atje ka mbërritur edhe lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, i cili rikthehet pas 6 muajsh në mbledhje grupi.
Kryetari i grupit Alibeaj i tha se “zoti Berisha jeni i paftuar në këtë mbledhje”. Por ish-kryeministri ia ktheu duke i thënë se “Duhet te pranoni realitetin. Pezullimi im ishte një vendim antistatutor”.
Mbledhja vazhdon me debate të forta. “Grupi i bashkuar është, duhet të kthehet në normalitet”, tha Edi Paloka në hyrje të selisë së Partisë Demokratike.
Pjesë nga debati brenda mbledhjes së grupit të PD-së
Alibeaj: Prezenca juaj në këtë sallë është një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti. Me prezencën tuaj ju po zhvlerësoni vendimet e organeve të kësaj partie. Ju jeni i përjashtuar nga grupi parlamentar dhe çdo forum.
Berisha: Alibeaj më vjen keq për këtë qëndrim, vendimi i Lulzim Bashës është anti-statutor, jua kam thënë edhe pak ditë më parë dhe po jua përsëris, unë ju respektoj si kryetar grupi, por çdo organ vendimmarrës në këtë parti ka qenë ilegjitime pas 11 dhjetorit. I vetmi organ që merr vendime është Komisioni i Rithemelimit.
Alibeaj: Nëse flasim për realitet, ka edhe një realitet tjetër. Ke shpallur betejën me Blinken. Dhe kjo nuk u shërben demokratëve.
Berisha: Beteja është për dinjitet njerëzor. Jam njeriu i dytë në botë që hedh në gjyq sekretarin e DASH. Kam mbrojtur sovranitetin e vendit. Kam qenë kryetar shteti, kryeministër, jam më i votuari në rajon.