Sali Berisha nuk e ka marrë totalisht nën kontroll Partinë Demokratike. E ndërsa pak ditë më parë Floriana Garo mori zotërimin e grupit të “Whatsapp”-it, faqja e PD-së në Facebook vazhdon të menaxhohet nga njerëzit e Lulzim Bashës. Sot në faqen e PD-së në Facebook, partia më e madhe në opozitë, tashmë e ndarë në dysh ka bërë një postim në mbështetje të Enkelejd Alibeajt, që e quajnë kryetar të komanduar dhe që nuk njohin vendimin e gjykatës që i dha vulën Berishës.
“Prej ditësh në Partinë Demokratike një grup personash janë duke vepruar në kundërshtim me ligjin. Kryetari i Komanduar i PD Enkelejd Alibeaj ka deklaruar edhe sot se të gjitha këto veprime janë të paligjshme. Vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë. PD është në pritje të zbardhjes së vendimit për të bërë ankimim sipas ligjit. Në të njëjtën kohë PD ka bërë një kallëzim në SPAK për gjyqtarin Zhukri dhe njëkohësisht po pret rezultatin e inspektimit nga ILD.
Nga ana tjetër PD pret vendimin e Gjykatës për regjistrimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 18 dhjetor.
Partia Demokratike do të presë me durim vendimet gjyqsore ndërkohë që do të fokusohet te hallet e qytetarëve, që sot janë goditur nga korrupsioni i një qeverie që i ka braktisur tërësisht njerëzit.
Partia Demokratike do të zbatojë çdo vendim gjyqësor të formës së prerë. Vendimet, veprimet, pushtimet nuk e ndihmojnë PD dhe nuk i shërbejnë bashkimit dhe as të ardhmes së demokratëve. Alternativa jonë e së nesërmes nuk mund të jetë kurrë një alternativë dhune dhe pushtimi apo izolimi nga partnerët tanë euro-atlantikë, me të cilët i’a kemi dalë të sigurojmë arritjet më madhore për shqiptarët” mbyllet reagimi.









