Rreth katër orë pas plagosjes me armë zjarri të kreut të njësisë administrative në Kallmet të Lezhës është arrestuar autori i ngjarjes.
Arratia e Altin Markut mori fund pasditen e sotme, pasi RENEA dhe FNSH së bashku me policinë lokale rrethuan zonën duke e neutralizuar.
Bashkë me autorin që u kap në një banesë në Kallmet, u sekuestrua edhe arma e krimit me të cilën qëlloi mbi Besnik Simonin.
Marku mesditën e sotme i shkoi në zyrë Simonit për të sqaruar një sherr të vjetër, por pas debatit që ishte i fortë u largua dhe i bëri pritë rreth 1 km nga godina duke qëlluar ndaj tij teksa po largohej në një makinë.
Besnik Simonin e kapën tre plumba dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.