-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Importet e naftës bien 10%, ulet konsumi nga ndërtimi, por jo për përdoruesit e makinave

Kryesoret

Konsumi i karburanteve ka filluar të ndikohet në mars nga shtrenjtimi i lartë i tyre, por efektin kryesor po e jep sektori i ndërtimit, që po reflekton edhe faktorë të tjerë të lidhur me kostot e lëndëve të para.

Sipas të dhënave të Doganave, të vëna në dispozicion për “Monitor” në janar importet e karburanteve ishin 55 milionë litra, me një rritje prej 14% në krahasim me janarin 2021. Çmimi mesatar i importit në dogana për janarin, ishte 68.2 lekë për litër, nga 50.4 lekë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2021.

Në shkurt, importet arritën në 52.8 milionë litra, me një rritje prej 9.4% në krahasim me shkurtin e një viti më parë. Çmimi mesatar i importit në dogana për shkurtin, ishte 76.7 lekë për litër, nga 50.4 lekë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2021.

Për periudhën janar-shkurt, importet e karburanteve janë rritur me 11.8%.

Marsi është muaji i parë, kur është shënuar një rënie e importeve. Sipas të dhënave që janë të disponueshme për datat 1-25 mars, importi i benzinës ishte 5.2 milionë litra, me një rënie prej 11.9%.

Importet e naftës po për periudhën 1-25 mars ishin 33 milionë litra, me një rënie prej 10.3% në raport me të njëjtën periudhë të një vit më parë.

Gazi zbriti në 17.8 milionë litra, me një rënie prej 8.8% me bazë vjetore.

Për periudhën 1-15 mars, çmimi mesatar i një litri karburant në dogana shënoi një rritje të ndjeshme, në 105.3 lekë për litër, dy herë me e lartë se mesatarja e periudhës 2016-2021, sipas të dhënave nga Doganat për sasitë e importuara dhe vlerën, të përpunuara nga Monitor.

Operatorët e tregut pohojnë se tkurrja e konsumit është konstatuar te kompanitë e ndërtimit, që punojnë me tendera, të cilat janë frenuar për momentin për shkak të shtrenjtimit të hekurit, çka ka rritur kostot, duke tejkaluar vlerësimet fillestare. Sipas të dhënave nga bursat ndërkombëtare, çmimi i hekurit ishte 955 dollarë për ton para se të fillonte sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa aktualisht ka arritur në 1254 dollarë për ton, me rritje 31%.

Ndërsa tek veturat, sipas tyre, nuk është vënë re tkurrje konsumi, me përjashtim të zonave kufitare, që i mbushin makinat në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, ku nafta tregtohet 30-40% më lirë. Në mungesë të një sistemi eficient dhe të shpejtë të transportit publik, makina nuk është luks, por një domosdoshmëri për shumëkënd që e ka punën larg shtëpisë.

Një litër naftë aktualisht tregtohet me 237 lekë për litër, nga 195 lekë që ishte në fund të shkurtit. Karburantet u shtrenjtuan në bursa pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, duke arritur deri në 130 dollarë për fuçi në fillim të marsit, nga rreth 90 dollarë që ishte nafta në fund të shkurtit. Çmimet kanë shënuar luhatje të shumta këto javë dhe aktualisht janë në tendencë rënëse. Në 30 mars, një fuçi naftë tregtohej me 107 dollarë për fuçi. Një ditë më parë, zv/kryeministri deklaroi se konsumi i naftës është përgjysmuar, por as të dhënat e doganave për importet dhe as deklarimet e operatorëve të tregut nuk e konfirmojnë këtë përgjysmim. / Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit