Ish-deputeti Alqi Bllako është në drejtorinë e policisë së Tiranës dhe nesër do të dalë për vlerësimin e masës së sigurisë përpara gjykatës së posaçme, por misteri i dorëzimit të tij vazhdon.
Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për Alqi Bllakon dhe ky vendim është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të datës 31 mars.
Ndërkohë, në orën 15.45, po të datës 31 mars, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj Alqi Bllakos i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit, vendim që është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 1 prill ( sot).
Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, bëri të ditur se Alqi Bllako ishte vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë arrest në burg mbrëmjen e djeshme.
Misteri lidhet me përplasjen e dy institucioneve. Policia e Shtetit njofton që Bllako është vetëdorëzuar mbrëmjen e të enjtes në drejtorinë e policisë, ndërsa SPAK sqaron se ai është arrestuar mëngjesin e sotëm në orën 03:30.
Përpos mos rakordimit, pyetja që shtrohet është se ku ishte Bllako nga mbrëmja e djeshme kur u raportua se u dorëzua, deri në orët e para të ditës së sotme kur SPAK thotë se u arrestua?