-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Për Frederikun!

Kryesoret

Nga Bedri Islami

Ai solli fjalë zotash në poezinë shqipe!

Për Frederikun!

Kam menduar shpesh herë përse poezitë e Frederik Reshpjes kanë një magji të veçantë.

Përse poezitë e tij kanë atë ndjesinë si të këputet rrezja e diellit apo florimi i shiut?

Përse poezitë e tij të ngjajnë shpesh herë si trëndafilë të thurur me diell dhe të veshur me dritë?

Shpesh herë më është dukur se poezia e tij tundej në brirët e drerëve të mëdhenj dhe kurdoherë mes tyre ka një mesnatë si palmë!

Herë – herë, në poezitë e tij të duket sikur mëngjesi po të vdes në duar dhe se largimi nuk është asgjë tjetër veçse çasti i riardhjes!

Lirika e tij , e magjishme, do ë thoja, që ka pak vdekje në sy, përse është rrëzuar në koha dhe pikërisht atë çast , në orën kur hijet bien në gjunjë dhe falen si perënditë e lashta pagane?

Frederiku i madh shtatvogël, me ecjen e çuditshme, që vargjet ishte e vetmja gjë që donte nga bota eterne dhe NËNA e vetmja tek e cila ka besuar e Zot tjetër nuk kishte pasur kurrë, poeti që e pinte kafen duke qeshur dhe tallej në të njëjtën kohë me të gjithë perënditë, i zakonshëm në pamje, për të mos thënë as i zakonshëm, por që dukej i bukur dhe se tërë shirat e botës binin për të, përse na është magjik?

Shpesh herë e kam menduar këtë?

Fotografia e fundit e tij është perëndia e tragjedisë dhe e mjerimit!

 E përsëri na duket se është perëndia e gëzimit!

Shpesh herë më është dukur sikur Frederiku kishte qenë shoqërues i Dantes, hija e Virgjilit, në udhëtimin e skajshëm në Ferr dhe, kur kishte menduar se Parajsa ishte e ardhmja e tij, befas kishte rënë në Ferrin tjetër, kësaj here veç për vete dhe askënd tjetër!

Poezia e tij vjen si nga një tjetër botë, jo nga kjo e prekshmja, e dukshme dhe e zakonshme. Ai dukej se i kishte rënë pash më pash ferrit dhe ishte rikthyer, duke mbyllur trëndafilat në pikëllimin e vet, i padëshifrueshëm, me jetë perëndish – nga mjerimi i madh – në shkëlqimin e përkohshëm – për të shkuar përsëri drejt mjerimit të fundit; shumë jetë të mundimshme janë fikur njëkohësisht tek sytë e tij;

ai ishte në të njëjtën kohë poeti i vdekur në rrugët e magjisë dhe i gjalli duke bartur me vete rrasën e mermerit të lavdisë!

Ai ishte poeti që vazhdoi deri në fund të mbrunte një Zot me fjalën, dhe, kur i erdhi dita, i munduar, barti si kryqin e tij dashurinë për njerëzit, por kjo dashuri nuk i ktheu kurrë përgjigje!

Ajo që Frederiku quante mëmëdhe ishte lumi i Bunës që fshihej pas kodrave të buta, Drini i rrëmbyeshëm dhe Kiri ujëpak; ullnjtë e Jugut dhe puset e lashta ku mendonte se kishin pirë ujë Trimat e Jutbinës, dielli në bahçen e Nënës së tij dhe trëndafilat e bardhë, dherat e Frasherit të mënçur dhe këngët e Milosaos, mermerët e thyer të së djeshmes dhe plisi i tokës ku do të mbillej e nesërmja, malësori me brekët legjendare dhe hapat e ngadaltë të Migjenit në rrugicat e gurta të qytetit të mbretërve; atdheu ishte dy kokrra misër që duheshin ndarë me miqtë, përtej harressës dhe kujtimit, meraku i Moikomit dhe qirinjtë e Pashkës, enigma e Kadaresë dhe kryqet e rrënuara te varrezat e vjetra të Rrmajit, karafilët e kuq që kishin erë gjaku, mesha e mesnatës së Krishtlindjes dhe kandili i shpresës ; atdheu ishte nata e përtejme dhe flamujt e fshehur të lirisë, ishte shkëmbi, pemët e prera që kishin çelur përsëri, çapitja e pleqëve dhe misteri i dashurisë, në fund të fundit atdheu ishte zbulimi i prejardhjes sonë në vigjiljen e vdekjes, në të njëjtën kohë me kujtesën e aromës së kuzhinës kur nëna skuq miellin e bardhë.

Për të gjitha këto ai gjeti fjalët e duhura.

Dhe, përmes tyre :

Ai solli fjalë zotash në poezinë shqipe!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit