Një rrjet i trafikut të drogës midis Shqipërisë dhe Sicilisë është goditur nga Policia italiane, duke çuar në pranga shtatë persona. Mediat italiane shkruajnë se grupit kishte arritur të trafikonte sasi të mëdha droge përmes detit nga Shqipëria.
Veprimtaria hetimore, e mbështetur nga shërbime teknike, video survejimi dhe vëzhgime në territor, e kryer nga Policia e Raguzës dhe e koordinuar nga Prokuroria vendase, bëri të mundur dokumentimin e veprimtarisë kriminale të organizatës që vepronte në disa territore të Provincës së Raguzës (midis Raguzës, Vittoria, S. Croce Camerina, Scicli dhe Pozzallo). Grupi kriminal, sipas hetimeve, ishte i aftë të trafikonte sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marijuane për periudhat kohore nga dhjetori 2018 deri në shkurt 2020. Ata furnizonin zonën me droga të rënda dhe të lehta, që vinte nga Roma, Palermo, Katania, si dhe nga territori shqiptar.
Gjatë operacioneve në terren kundër korrierëve, oficerët e Policisë sekuestruan 2.6 kg kokainë, në disa raste me pastërti mbi 80%, një sasi prej 77 kg marijuanë, si dhe 50 kg hashash. Droga e sekuestruar, përveç sasive të negociuara me marrëveshje telefonike, do të kishte sjellë fitime të konsiderueshme, të vlerësuara në rreth 1 milion euro, veçanërisht për drogën e llojit kokainë, e cila pasi të pritej, do të arrinte në sasi më të mëdha. Pak ditë më parë, Policia e Raguzës, në bashkëpunim me kolegët e Komisariatit të Policisë së Teramo, kreu një tjetër urdhër paraprak ndalimi, të lëshuar ndaj njërit prej të dyshuarve, i cili ndërkohë kishte transferuar vendbanimin e tij në rajonin e Marche, në përpjekje për të humbur gjurmët.