Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas zërave se ish-deputeti socialist, Alqi Bllako nuk është arrestuar nga Policia, pasi nuk dihet ende vendndodhja e tij.
Përmes një statusi në median sociale Facebook, Tabaku shkruan se “cili do që ka penguar drejtësinë të arrestojë Alqi Bllakon duhet të përgjigjet para ligjit”.
Postimin e saj ajo e ka shoqëruar me nenin përkatës që parashikon rastet kur ndihmohet të largohet një person për të cilin ka një urdhër-arrest.
“Kush e pengoi arrestimin e Alqi Bllakos nga momenti i njoftimit publik të SPAK, datë 29.03.2022, ora 11:30 deri në momentin e përgjigjes së Kuvendit, datë 30.03.2022, ora 22:30, duke refuzuar mbledhjen e menjëhershme të Këshillit për Mandatet, për rrjedhojë dhënien e autorizimit për SPAK”, shkruan Tabaku.
Sipas saj, kushdo qoftë do të duhet të përgjigjet përpara ligjit.
Nga ana tjetër, Albanian Post, ka kontaktuar me Policinë e Tiranës, por nuk ka marrë një konfirmim nëse Bllako është arrestuar.
“Nuk kemi një informacion zyrtar mbi çështjen”, ishte përgjigjja e Policisë.
Ndërkohë, vetë Bllako deklaroi para dorëzimit të mandatit se do të përballej me drejtësinë.
Bllako akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.
SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.
Sipas SPAK-ut ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 milionë lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.