Këto janë pamjet kur Alqi Bllako është larguar nga ambientet e Gjykatës së Posaçme drejt qelisë së burgut.
Me pranga në duar ai është i rrethuar nga disa efektivë policie, ndërkohë që ditën e sotme, Bllakos i është vlerësuar masa e sigurisë dhe GJKKO ka vendosur që ta lërë në arrest me burg.
Ish-deputeti akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre në aferën e inceneratorit të Fierit.
Bllako bëhet zyrtari i dytë që arrestohet lidhur me aferën e inceneratorëve pas Lefter Kokës.
Prokuroria e akuzon Alqi Bllakon se ka shpërdoruar detyrën duke dorëzuar në Këshillin e Ministrave një dokumentacion të falsifikuar për llojin e tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit dhe shpronësimi është bërë në një vlerë shumë më të madhe.
Ndaj tij rëndon edhe akuza për korrupsion, ku SPAK thotë se ka përfituar rreth 15 milionë lekë në formën e pagave për babain e tij, pasi ka favorizuar kompaninë e Klodian Zotos, më të cilin rezulton sipas SPAK të ketë udhëtuar jashtë vendit.
