Sali Berisha u shpreh këtë të shtunë nga Shkodra se nuk do kishte një kandidaturë nga opozita për postin e presidentit të Republikës.
Alibeaj ishte i pari që reagoi pas deklaratës së ish-kryeministrit, duke thënë se qëndrimet personale nuk janë pjesë e grupit.
Ndërkohë, në mbrëmje ka reaguar edhe deputeti Luçiano Boçi, i cili shkruan në Facebook se asnjë deklaratë e bërë në mënyrë individuale nuk përfaqësonte qëndrimin e grupit parlamentar të PD.
Postimi i Plotë nga Luçiano Boçi:
Çështja e zgjedhjes së Presidentit është një çështje thelbësore e shtetit dhe e marrëdhënieve politike midis mazhorancës e opozitës.
Rama mund ta zgjedhë e ta uzurpojë me votat e tij institucionin e fundit të pa rënë në duart e tij, por ai s’mund të ketë mbështetjen e opozitës as dhe t’i shmanget kundërshtisë politike në opinion nga opozita, nëpërmjet gjoja “axhendave parlamentare”.
Askush nuk ka të drejtë të parapërcaktojë individualisht, pavarësisht pozicionit, mënyrat dhe rrugët e reagimit të Partisë Demokratike.
Çdo vendimmarrje duhet të jetë kolegjiale.
Së pari ajo i nështrohet diskutimit në Kryesinë e Grupit parlamentar.
Çdo qëndrim apo deklaratë jashtë kësaj vendimmarrje, është krejtësisht individuale dhe si e tillë e pa vlerë.