Prokuroria e Fierit kërkon sekuestrimin e pasurisë për Vangjel Zijajn të njohur edhe me emrin Arben Gropa, i cili dyshohet se i ka krijuar pasuritë nga veprimtaritë e paligjshme. Shuma që kërkohet për sekuestro shkon 800 mijë euro, të cilën fieraku e ka kaluar në emër të personave të tjerë për të humbur gjurmët. Sipas prokurorisë ai dyshohet se pasurinë e ka vendosur me trafik droge dhe prostitucion në Itali dhe Zvicër. Vangjel Zijaj rezulton se edhe në Shqipëri ka qenë i dënuar.
NJOFTIMI
Prokuroria: Të kryhet konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të çdo pasuri të të pandehurit Vangjel Zijaj (Arben Gropa), vlera e së cilës i korrespondon produktit të veprës penale “Pastrimi i produkteve te vepres penale, ose veprimtarise kriminale”, – objektit ndërtimor të tjetërsuar në formën e kontratave të shitblerjes tek persona të tretë, vlerësuar sipas aktit të ekspertimit në 800.000 euro.
Me vendimin nr.103 datë 10.03.2022, pranohen konkluzionet e prokurorit dhe Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur përfundimisht:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Vangjel Zijaj (Arben Gropa) për kryerjen e veprës penale te “Pastrimi i produkteve te vepres penale, ose veprimtarise kriminale”, të parashikuar nga neni 287/1, gërmat “a” dhe “d” i K.Penal dhe dënimin e tij me 05 vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Romerto Gropa, (Kristian Gropa) për kryerjen e veprës penale te “Pastrimi i produkteve te vepres penale, ose veprimtarise kriminale”, të parashikuar nga neni 287/1, gërma “d” e K.Penal dhe dënimin e tij me 03 vite 04 muaj burgim.
3. Në aplikim të nenit 36 të K.Penal, pika 1 gërma “ç” dhe nenit 190 pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale, lidhur me produktin e tjetërsuar të veprës penale objekt ndërtesë 6 kate+shtesë një kati në pronësinë e Vangjel Zijaj (Arben Gropa), të kryhet konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit te çdo pasuri tjetër të të pandehurit Vangjel Zijaj (Arben Gropa), vlera e së cilës i korrespondon asaj të produktit të veprës penale, objektit ndërtimor të tjetërsuar, i vlerësuar sipas aktit të ekspertimit vlerësues të sipërcituar.
4. Në aplikim të nenit 36 të K.Penal, pika 1 gërma “b” dhe nenit 190 pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale, të kryhet konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i automjetit të të pandehurit Vangjel Zijaj (Arben Gropa).
5. Në aplikim të nenit 36 të K.Penal, pika 1 gërma “b” dhe nenit 190 pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale, të kryhet konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i pasurisë i llojit Njësi me sip.147 m², i shtetasit Romerto Gropa.
Nga aktet e procedimit penal rezulton se, shtetasi Vangjel Zijaj (Arben Gropa) është dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë me 29 vjet, 05 muaj e 27 dite burgim, për veprat penale në fushën e narkotikëve, nxitje, shfrytëzim e favorizim prostitucioni të kryera nga organizata kriminale. Ndërsa shtetasi Romerto Gropa (Kristjan Gropa) është dënuar nga Gjykata e Apelit të Brukselit për ekzekutimin e vendimit për veprën penale të prostitucionit.
Lidhur me pasurinë e konfiskuar rezulton se, shtetasi Vangjel Zijaj (Arben Gropa) ka ndërtuar një objekt 6 katësh+shtesë e një kati në proces legalizimi në qytetin e Fierit, ku apartamentet janë tjetërsuar nga i pandehuri në formën e kontratave të shitblerjes tek persona të tretë pas vitit 2002, pikërisht pas kryerjes së veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të prostitucionit nga organizata kriminale në shtetin italian për të cilat është dënuar. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues vlera e objektit ka rezultuar 800.000 euro. Duke qenë se kjo pasuri konsiderohet produkt i veprës penale dhe nuk justifikohet me ndonjë pasuri tjetër të ligjshme të të pandehurit dhe familjarëve të tij, në përfundim të gjykimit është kërkuar konfiksimi i vlerës ekuivalente të kësaj pasurie ne pasuri të tjera të ligjshme të të pandehurit.