Ministria e Bujqësisë bën me dije se as 24 orët e fundit nuk ka pasur raste të konfirmuara të gripit të shpendëve ndërsa shtoi se nga kontrolli i deritanishëm nuk janë konstatuar shpendë të tjerë të sëmurë apo të ngordhur.
Detaje që lënë të kuptohet se ngjitshmëria ka rënë dhe rastet janë të izoluara. Ndërkohë që nga ana tjetër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon kontrollet, ku bën me dije se nuk janë konstatuar shkelje apo problematika në lidhje me mishin dhe nënproduktet e shpendëve.
Njoftimi i plotë:
Mbi situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, 4 prill
Në lidhje me situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, në 24 orët e fundit nuk ka pasur raste të reja të konfirmuara. Autoritetit Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve vazhdon monitorimin e kujdesshëm me veterinerët zyrtarë në të gjithë territorit të vendit. Në përputhje me Planin e Kontigjencës, në zonën e mbrojtur 3 km dhe në zonën e mbikëqyrjes 10 km është kontrolluar rregullisht territori në stabilimente, ferma e oborre. Vazhdon kontrolli i territorit edhe në liqene, laguna dhe në tregjet e palicensuara. Nga kontrolli i kryer nuk janë konstatuar shpendë të tjerë të sëmurë apo të ngordhur. Po ashtu, sipas Planit të Kontigjencës, vazhdon dezinfektimi i vatrave. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon kontrollet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. Është e nevojshme të sigurojmë vazhdimisht konsumatorin se ushqimet në tregun tonë, në pikat tregtare të qendrat e licensuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius. Nëse konstatoni shenja të dyshimta për influencë aviare në ferma apo oborre, ju bëjmë thirrje të kontaktoni menjëherë veterinerin zyrtar të zonës ose të telefononi falas në numrin e gjelbër 0800 33 66.









