Ka ardhur reagimi i parë nga Partia Demokratike, pasi kryeministri Edi Rama njoftoi legalizimin e kanabisit mjekësor. Deputeti Flamur Noka u shpreh se me këtë vendim Edi Rama po bën që në Shqipëri të lulëzojnë bandat akoma më shumë.
“Pasi e shndërroi Shqipërinë në një Kolumbi të Europës, kjo që po bën sot është legalizim i krimit të organizuar, pazareve të drogës dhe bandave. Ose është skenar për t’ia legalizuar krimit ose ata biznesmenë do të shndërrohen në ushtarë të krimit. Shqipëria nuk është në kushtet që mund të legalizojë kanabisin.
Pas këtij vendimi, do të shihni se bandat do të lulëzojnë më tepër, tregtia e drogës do jetë në përmasa të frikshme dhe biznesmenët që do marrin licencën do jenë ushtarë në duart e krimit. Në 8 vjet shqiptarët e panë. Kanabis ishte e vetmja kulturë bujqësore në vend, e legalizuar pa ligj. Që të legalizosh kanabisin, duhet të kesh një shtet ligjor të konsoliduar. Kjo është pjesë e skenarit të shpopullimit të vendit” u shpreh Noka.