Ekzekutimi mafioz i kryer të dielën në mbrëmje te kthesa e Rinasit është ende pa autor dhe pa motive të qarta për grupin e hetimit. Janë një mori pistash, personazh të dyshuar, të marrë në pyetje dhe pse jo shumë prej tyre edhe të mbajtur tashmë nën hetim si persona që së paku kanë dijeni për rrethanat e atentatit që tronditi Tiranën.
Policia nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë të mjetit nga i cili doli breshëria e kallashnikovit që i mori jetën djalit nga Rinasi i Ri, ndërkohë që përgjatë dy ditëve të fundit, kanë mundur vetëm të fiksojnë faktin se viktima, pasi është ndarë nga vëllai ku është takuar për kafe me të, është takuar me një person tjetër. Referuar të dhënave konfidenciale mësohet se të dhënat për këtë person kanë dalë nga këqyrja e tabulateve telefonike të Iljaz Çalit, por ende Policia nuk e ka marrë atë person në pyetje.
Zyrtarisht nuk bëhet me dije se kë ka takuar dhe në çfarë vendi, por bëhet me dije se në drejtim të Rrugës së Elbasanit, viktima ka shkuar konkretisht për të takuar atë person.
Sipas të dhënave të grupit hetimor, ka qenë vetë vëllai i tij, Zeqir Çali, i cili ka thënë se përgjatë kohës që ka qenë në lokal me të vëllanë, për herë të fundit të jetës së tyre të përbashkët, i binte shpesh telefoni, por vëllai nuk e ka pyetur Iljazin se kush ishte.
Sapo ata janë ndarë me njëri-tjetrin, Iljazi i ka thënë të vëllait se do të nisej në drejtim të shtëpisë, por që në fakt ka marrë Rrugën e Elbasanit. Policia nuk bën me dije se kush është ky person dhe ende nuk dihet nëse ai është marrë në pyetje për të dëshmuar në lidhje me momentet e fundit të takimit me viktimën.
Sipas të dhënave hetimore, saktësohet se vëmendja është përqendruar në zonën e Bulqizës, vend në të cilin djemtë e familjes Çali kishin një galeri, sipas dokumenteve, ndërkohë që nuk dihet se përse nuk po hetohen edhe dy vendet e tjera në të cilat kishin licenca dy vëllezërit e viktimës, në Tropojë dhe Kukës.
HETIMET
Grupi hetimor ka marrë dëshmi edhe të disa personave të tjerë që kanë qenë në dijeni të konflikteve të gjeneruara nga galeria në zonën D në Bulqizë. Dëshmitarët kanë treguar mbi ato që kanë ditur, por sipas të dhënave, nuk është përftuar asnjë fakt i domosdoshëm për t’i mbajtur dyshimet dhe hetimet në ato dy konflikte që Policia dhe prokuroria i nxorën si të denoncuara nga Zeqir Çali, vëllai i madh i viktimës.
Pra si në lidhje me konfliktin me Ilir Camin për hapësirën e shfrytëzimit dhe, po ashtu, edhe në lidhje me borxhin që Rrahim Dedja u tha që iu kishte djemve, ende nuk është gjetur një fakt i dyshimtë që ata të mbahen nën hetim për atentatin ndaj 37-vjeçarit Çali.
Si pjesë e procedurës hetimore, Policia dhe prokuroria kanë kërkuar të zbardhen të gjitha tabulatet e telefonave të viktimës si dhe të një sërë personash të tjerë që mendohet se kanë dijeni për këtë akt.
Po ashtu, prokuroria ka gërmuar në dosjet e veta për të gjetur të dhëna mbi rastet kur viktima ka pasur probleme me drejtësinë, për të parë se çfarë lloj aktesh kishte kryer Çali në të shkuarën. Bëhet me dije se janë sekuestruar praktikat policore, hetimore dhe gjyqësore të viktimës për rastet kur ka qenë i ndaluar apo i gjykuar.
Sipas të dhënave, rasti më i fundit që viktima ka qenë i ndaluar dhe para gjykatës daton muajin prill të dy viteve më parë, kur ai nuk iu ndalua Policisë dhe që udhëtonte në kohën e orës policore. Ai ua la makinën në dorë Policisë dhe iku, por pasi u kap, u vu në pranga. Ajo që bie në sy është fakti se avokati mbrojtës i tij i kishte thënë gjykatës së klienti i tij ishte një person i varfër dhe se nuk kishte qëllim për të bërë keq, por ishte trembur.
VENDIMI i GJYKATËS
Një vendim gjykate që daton fundshtatorin e vitit 2020, me të pandehur Iljaz Çalin, të riun që u ekzekutua te kthesa e Rinasit, Gjykata e Tiranës konkludon se ai duhet ta shlyejë dënimin me anë të një gjobe dhe se, sipas Gjykatës, ai nuk rezultonte i ndaluar asnjëherë më parë dhe, për pasojë, ishte edhe shumë i ri.
Çali ishte ndaluar se kishte shkelur orën policore, por që Policia dhe prokuroria i kishin ngritur akuzën për “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.
“Panorama” posedon këtë vendim gjykate që mban emrin e gjyqtarit Kujtim Vraniçi dhe në të cilin theksohet: “Rreth orës 21:25 të datës 4 prill të vitit 2020, shtetasit Gjon Prenga e Sokol Alia kanë qenë duke patrulluar me automjetin e Policisë në segmentin rrugor që të çon për në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas.
Në një moment gjatë patrullimit, shtetasi Gjon Prenga dhe Sokol Aliaj kanë konstatuar qarkullimin e një automjeti. Me qëllim identifikimin e personave që ndodheshin brenda në mjet si dhe kontrollin e dokumentacionit ligjor, punonjësit e Policisë kanë dhënë shenjë për ndalim.
Nga ana e tij, drejtuesi i mjetit, pasi ka ndaluar lëvizjen, ka komunikuar me dy punonjësit e Policisë, ku ata i kanë kërkuar dokumentacioni ligjor dhe autorizimin e posaçëm për të lëvizur.
Drejtuesi i mjetit, thotë gjykata, është vetëprezantuar si Iljaz Çali dhe se nuk dispononte as leje drejtimi dhe as autorizim. Ata i kanë kërkuar të zbriste nga mjeti, pasi makina duhej të kontrollohej.
Ai ka zbritur dhe ka ikur, por policët e kanë ndaluar. Konkretisht, në momentin e dhënies së vendimit Gjykata mban parasysh: faktin që i pandehuri e ka pranuar akuzën dhe ka treguar pendim të thellë në lidhje me veprën penale që në fazën e hetimeve paraprake dhe më pas edhe në gjykim.
Po ashtu, faktin që ka mbajtur qëndrim bashkëpunues me organin e akuzës dhe gjykatën edhe pas kryerjes së veprës penale; faktin që rezulton i padënuar më parë për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale, si dhe faktin që është tepër i ri në moshë. Vendimi u dha me 29.09.2020 nga gjyqtari Kujtim Vraniçi”./ Panorama