Qeveria prezantoi sot rezultatet e pyetjeve të këshillit kombëtar. Një nga pyetjet që mori votën pro të shumicës ishte që të pezullohen gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende vettingun dhe që kapen në shkelje të pezullohen. Ai tha se kjo nuk është ndërhyrje e ekzekutivit në punët e gjyqësorit.
“Oh. Ju e keni seriozisht apo e dini që po bëni një pyetje pa kuptim, por duhet bërë. Ne nuk hyjmë në pushtetin e pavarur, por jemi edhe pushtet legjislativ, që përcakton rregullat për atë pushtetin tjetër. Nuk i pezullon qeveria, por për një ndërhyrje në legjislacion, që ka qenë në draftin e reformës në drejtësi, por ka rënë rrugës, që këta njerëz të pezullohen në vend dhe të pezulluar të hetohen. Qytetarët e kanë kuptuar shumë qartë këtë”.
Por si do të bëhet kjo dhe a ka nevojë për ndryshime kushtetuese?
“E vetmja gjë që ndryshon është që të pezullohen nëse ka një dyshim për kryerjen e një akti në shkelje me ligjin, atëherë prokurori dhe gjyqtari pezullohen dhe më pas bëhet hetimi. Nëse institucioni del në konkluzion pozitiv apo negativ, sipas konkluzionit, personi ose përjashtohet ose vazhdon punën. Nuk ka ndërhyrje nga qeveria, asnjë ndryshim kushtetues, vetëm ndryshim të kohës së ndërhyrjes së të njëjtave institucioneve të pavarura” shpjegoi ai.
I pyetur nëse shkarkimi i drejtorit të Postës, Ervin Bushati ka lidhje me faktin që vetëm 60% e formularëve janë dorëzuar nga posta, Edi Rama tha “Drejtori, kjo është një risi por unë nuk përgjigjem për vënie dhe largime drejtorësh, nuk është puna ime dhe temë për këtë sallë”.