Ditën e sotme në kryeqytet ka nisur një manifestim i madh i thirrur nga komuniteti ukrainas në mbështetje të Ukrainës dhe popullsisë atje, e cila po përballet me agresionin rus.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa rrugë të kryeqytetit nga ora 12:00 deri në orën 15:00.
Dhjetëra qytetarë po valëvisin flamujt e Ukrainës në mbështetje të popullit.
Udhëheqës i këtij manifesti ishte ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, ndërsa shoqërohet nga kryebashkiaku Veliaj. Po ashtu protestës paqësore i është bashkuar edhe ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim. Ata pasi ecën përgjatë bulevardit, shkuan drejt ambasadës ruse.
Një qytetare e Ukrainës u shpreh se vendi i saj ndodhet në momente shumë kritike dhe kjo të dhemb shumë.
“Dua te ndihem e lirë të shkoj sërish në Ukrainë, kam lënë shumë njerëz atje. Kjo të dhëmb shumë. Njerëzit tonë janë njerëzit më të fortë, me guxim të pashpjegueshëm”.