Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë në një fjalim një natë më parë se agresioni rus nuk ka për synim të dëmtojë vetëm Ukrainën, por synon të gjithë Evropën.
Zelensky i kërkoi Perëndimit që të vendosë embargo të plotë ndaj produkteve ruse të energjisë dhe të furnizojë Ukrainën me armë shtesë.
Presidenti deklaroi se Ukraina është gati për një betejë të ashpër, në rast se forcat ruse veprojnë në lindje të vendit.
Megjithatë ai theksoi se kjo betejë nuk do të jetë e lehtë. “Kjo do të jetë një betejë e vështirë, ne besojmë në këtë luftë dhe në fitoren tonë. Ne jemi të gatshëm të luftojmë njëkohësisht dhe të kërkojmë mënyra diplomatike për t’i dhënë fund kësaj lufte”, u shpreh ai.
Negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak deklaroi se presidenti Zelensky dhe presidenti rus Vladimir Putin nuk do të takohen derisa Rusia të mposhtet në lindje.