Aqif Rakipi lindi në Shënavlas, Durrës më 1 prill të vitit 1964. Ai është me arsim të mesëm dhe pjesën më të madhe të aktivitetit të tij e ka në sektorin privat si biznesmen.
Në CV-në që mban firmën e tij thuhet se nga viti 1999 deri në vitin 2013 ai ushtroi aktivitet ekonomiko-shoqëror në sektorin privat kryesisht në fushën e shfrytëzimit të burimeve natyrore (Miniera) si dhe ka qenë drejtues dhe anëtar bordi në bizneset e ngritura nga vetë ai.
Po kështu në CV shkruan se ka qenë pjesëmarrës dhe aktivist në shoqatën “Çamëria” si dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet.
Nga viti 2013 e në vazhdim, ai është deputet i Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, për qarkun Elbasan.
AKUZA E PD
Më 29 shkurt 2016, Partia Demokratike ka denoncuar në orët e vona deputetin Rakipi, pjesë e mazhorancës dhe vëllanë e tij sepse sipas saj, kishin rrahur barbarisht kryetarin e PD-së së Peqinit për motive të pastra politike.
Aqif Rakipi, ish-deputet e humbi përfundimisht të drejtën të hynte në Kuvend më 21 shkurt 2019, kur Gjykata Administrative i rrëzoi padinë për t’u rikthyer në Kuvend.
Rakipit iu hoq mandati në vitin 2018 bashkë me Gledion Rehovicën pas verifikimit se në Itali ishte arrestuar në vitin 1998 për vjedhje.
Këtë arrestim ai e kishte fshehur në formularin për dekriminalizimin dhe KQZ i hoqi mandatin pas verifikimit të shkresës që erdhi nga pala italiane përmes Interpolit.
Në këto rrethana, kur dyert ligjore i janë mbyllur nga të 4-ta anët dhe ai vetë nuk mund të garojë, në zgjedhjet për 25 prillin, një emër në dukje i panjohur vjen nga Partia Socialiste.
Ai është Orlando Rakipi, djali i Aqif Rakipit, i renditur i 30-i në listën e Partisë Socialiste në Tiranë. Duke u fshehur pas 29 emrave të tjerë, djali i Aqif Rakipit është një nga kandidaturat që iu ofrohet qytetarëve të Tiranës të votojnë më 25 prill.
Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike.
Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit.
Non Grata
Sipas Departamentit amerikan ata përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit.
Departamenti i Thesarit shpjegon se si rezultat i vendimit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në pronësinë e individëve ose subjekteve të përcaktuara që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim ose kontroll të personave amerikanë duhet të bllokohen dhe të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja.