Presidenti i Ukrainës thotë se lufta e vazhdueshme dhe e paprovokuar e Rusisë ndaj vendit të tij është një katastrofë që rrezikon të gjithë Evropën. Kremlini duket se ka braktisur planet për të marrë kryeqytetin Kiev, ndërsa lufta ka hyrë në muajin e dytë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, fuqitë perëndimore i akuzojnë ushtarët rusë për krime lufte, që nga përdhunime dhe deri në ekzekutime të civilëve.
Filmime të reja të qarkulluara nga Ministria ruse e Mbrojtjes tregojnë njësi të aviacionit që shkatërrojnë një autokolonë ukrainase me autoblinda dhe mjete kundërajrore. Zëri i Amerikës nuk mundi t’i verifikojë pamjet në mënyrë të pavarur. Kremlini vazhdon të pretendojë se godet vetëm objekte dhe personel ushtarak, por pamjet e verifikuara tregojnë një tjetër realitet.
Pamjet që u shfaqën në përfundim të goditjeve javën e kaluar në stacionin e trenit në qytetin ukrainas Kramatorsk tregojnë dhjetëra civilë të vrarë. Rusia mohoi përgjegjësinë, duke fajësuar Ukrainën se sulmoi shtetasit e saj në formë provokimi.
Sulmi në Kramatorsk ndodhi pasi u zbuluan viktima civile përgjatë rrugëve dhe në varre të hapura në qytetin Bucha, në rrethinat e kryeqytetit Kiev.
“Pati një plan nga nivelet më të larta të qeverisë ruse për të vendosur në objektiv civilët që kundërshtuan sulmin, për të ushtruar dhunë ndaj tyre, për të organizuar përpjekjet për të ushtruar brutalitet ndaj tyre, për të terrorizuar popullsinë dhe për ta nënshtruar atë”, tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë një fjalimi të fundit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se agresioni i Rusisë ndaj vendit të tij, që ai e quajti gjenocid, kërcënon të ardhmen e Evropës. Vendet evropiane vazhdojnë të mbështesin pa lëkundje Ukrainën, por ende blejnë pjesën më të madhe të energjisë së tyre nga Rusia.
“Duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të rritur prodhimin vendas që t’i ndihmojmë me furnizim sa më shumë të jetë e mundur. Por, ata duhet të kuptojnë se çdo herë, çdo ditë që ata vazhdojnë të importojnë naftë dhe gaz rus, ata po financojnë gjenocidin e Putinit në Ukrainë”, tha ligjvënësja republikane, Liz Cheney.