Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për herë të parë do të jepet nga 100 euro shtesë për çdo punonjës të sektorit publik dhe privat.
Në prezantimin e masave të reja në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, shefi i ekzekutivit ka thënë se shtesë prej 100 euro do të marrin edhe të gjithë pensionistët në Kosovë.
“Pensionin bazë e rritëm për 11 për qind, ndërsa 33 për qind për personat me aftësi fizike. Asistencën sociale e kemi rritur për 30 për qind. Gjithashtu për shtresat e cenueshme ndamë mbi 10 mijë kuponë dhe shujta përmes kuzhinave qendrore. Për asnjë çast nuk u ndalem për të dalë në ndihmë qytetarëve dhe pikërisht atyre që kanë më shumë nevojë. Pensionistëve do u japim nga 100 euro. Për herë të parë do t’i ndajmë nga 100 euro për gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat”, tha Kurti.
Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.