Në vijim të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë shtetasin P. P., 24 vjeç, nën akuzën për “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës kanë ushtruar kontroll në lokalin e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një aparat celular që përdorej për vënie bastesh në mënyrë të kundërligjshme, si dhe një dorezë metalike (përforcues grushti).
Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.