Tre persona të maskuar e me kallashnikovë kanë grabitur ditën e djeshme Bankën Komerciale që ndodhet në qytetin e Zubin Potokut në veri të Kosovës. Ata arritën t’iu ikin edhe Policisë duke bërë të tyre shifrën e 90 mijë eurove.
Gjithçka ndodhi derisa Policia mori informacionin përmes një telefonate se po ndodh një grabitje. Sapo autorët u futën në bankë u lëshua sinjali i alarmit por që kjo nuk i frikësoi fare grabitësit. Ata arritën të vjedhin 5000 euro dhe 10 milionë dinarë (84947 euro). Tre të dyshuarit i drejtuan kallashnikovët zyrtarëve policorë, duke arritur të fitonin kohë që të largoheshin me një makinë të tipit Volkswagen Passat.
Automjeti me të cilën u larguan tre të dyshuarit, ishte me targa të Kosovës dhe kishte ngjyrë të kaltër. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tyre, madje është aktivizuar edhe Unaza e Çeliktë e Planit Operativ.