Manchester City është kualifikuar me vështirësi në fazën gjysmëfinale të Champions League, në një ndeshje që shkaktoi drithërima përballë Atletico Madrid.
Anglezët barazuan 0-0 në Spanjë përballë djemve të Simeones, duke iu falur fitores minimale në shtëpi, që i katapultoi mes 4 klubeve më të mira europiane.
Vendasit ishin të pafat në disa raste dhe Guardiolës iu desh të rimendonte formacionin gjatë ndeshjes pas dëmtimit të De Bryne dhe Walker.
Ndonëse Atletico u përpoq ta godiste disa herë portën e miqve, ishin të pafat në pjesën më të madhe të rasteve, duke e mbyllur ndeshjen me rrjeta të paprekura.
Në ndeshjen tjetër të kësaj të mërkure, Liverpool barazoi me rezultatin 3-3 në shtëpi përballë Benficas. “Të kuqtë” kishin fituar 1-3 në Portugali dhe vinin më të qetë në ndeshjen e dytë, ku Klopp zgjodhi të bënte dhe disa prova në formacion.
Shorti i ka përcaktuar më herët gjysmëfinalet të cilat do të vendosin përballë Villareal me Liverpool dhe Real Madrid me Manchester City.