Shkatërrimi i anijes së dytë ushtarake ruse nga ukrainasit ka bërë që Rusia të rishikojë pozicionin e saj në Detin e Zi. Kështu ka deklaruar inteligjenca britanike, lidhur me sulmin.
“Rusia ka pësuar dëmtime në dy anije kyçe që nga fillimi i pushtimit. Anija ushtarake, luajti një rol kyç si komanduese ashtu edhe për mbrojtjen ajrore”, tha ai.
Ndërkohë, Rusia ka pranuar se anija luftarake Moskva është mbytur në Detin e Zi, tha agjencia shtetërore e lajmeve TASS, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
“Gjatë lundrimit drejt portit që kishte për destinacion anija humbi stabilitetin për shkak të goditjes së bykut me municione shpërthyese. Dhe duke qenë se deti ishte me stuhi, anija u fundos”, lexohet në deklaratën e Ministrisë.
Gjatë ditës ka pasur raportime të ndryshme nga pala ruse dhe ukrainase rreth anijes së vendosur në Detin e Zi. Fillimisht Rusia tha se në anije shpërtheu zjarr, duke bërë që të shpërthenin municionet që ndodheshin brenda saj, çka detyroi ekuipazhin të braktiste mjetin lundrues.
Por Ukraina tha se e ka goditur anijen Moskva me predha dhe më pas deklaroi se kishte arritur ta fundoste.