Kryeministri Edi Rama shkoi me ide të qarta në Turqi dhe Azerbajxhan. Në përfundim të vizitës, ai tha se po punohet për gazifikimin e Shqipërisë. Hapat janë konkretë, pasi sipas tij ekspertë turq e azerë do të eksplorojnë mundësinë e ndërtimit të një rafinerie të re gazi natyror.
“Do të punojmë shumë ngushtësisht për gazifikimin e Shqipërisë dhe në këtë aspekt hapi i parë shumë i rëndësishëm është nisja e një pune konkrete për gazsjellësin joniano-adriatik, i cili faktikisht përmes TAP-it lidh pjesën e sipërme që do të thotë Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjën dhe faktikisht e kthen Shqipërinë në një nyje shumë të rëndësishme të shpërndarjes së gazit.
Nga ana tjetër, kemi folur edhe për t’u ulur së bashku, ekspertët tanë, ekspertët azerë dhe ekspertët turq për të eksploruar mundësinë e ndërtimit të një rafinerie të re.
Ashtu sikundër kemi folur edhe për të pasur nga ana e Azerbajxhanit investime në turizëm, duke pasur parasysh edhe shembullin e shkëlqyer që Azerbajxhani ka dhënë në Malin e Zi, me ndërtimin e një infrastrukture ultra moderne mikpritjeje”, tha Rama.