Rusia ka pranuar se anija luftarake Moskva është mbytur në Detin e Zi, tha agjencia shtetërore e lajmeve TASS, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
“Gjatë lundrimit drejt portit që kishte për destinacion anija humbi stabilitetin për shkak të goditjes së bykut me municione shpërthyese. Dhe duke qenë se deti ishte me stuhi, anija u fundos”, lexohet në deklaratën e Ministrisë.
Gjatë ditës ka pasur raportime të ndryshme nga pala ruse dhe ukrainase rreth anijes së vendosur në Detin e Zi. Fillimisht Rusia tha se në anije shpërtheu zjarr, duke bërë që të shpërthenin municionet që ndodheshin brenda saj, çka detyroi ekuipazhin të braktiste mjetin lundrues.
Por Ukraina tha se e ka goditur anijen Moskva me predha dhe më pas deklaroi se kishte arritur ta fundoste.