Tregu i fluturimeve në vend rezulton se e ka marrë veten, duke tejkaluar nivelet e përpara pandemisë në dy muajt e parë të këtij viti, të dhënat janë bërë të ditur nga Eurostat, që raporton krahasimet për fluturimet komerciale në shtetet e Europës.
Shqipëria rezulton e vetmja me rikuperimin pozitiv të tregut të fluturimeve, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të raportuara janë 20-40% më poshtë se periudhat përkatëse të para-pandemisë për janarin dhe shkurtin.
Në janar, fluturimet nga Shqipëria u rritën me 9.7%, në raport me janarin e 2019-s, ndërsa në shkurt zgjerimi ishte 0.7%. Ndërsa në raport me periudhat përkatëse të 2021, fluturimet mëse janë dyfishuar, përkatësisht +139.6% në janar, me bazë vjetore dhe +117.8% në shkurt.
Rimëkëmbja ka nisur që në muajin gusht të vitit të kaluar, ku për shkak të sezonit turistik, fluturimet u rritën me 23% në raport me parakrizën dhe me rreth 17% në shtator. Situata ishte shumë më e mirë sesa mesatarja e bashkimit Europian, që vijoi të vuajë pasojat e pandemisë edhe në 2021, për shkka të kufizimeve më të rrepta që ende ishin në fuqi. Në gusht dhe shtator, fluturimet në vendet e BE-së ishin mesatarisht 31-33% më të ulëta se muajt përkatës të 2019-s, ndërsa edhe në janar e shkurt të këtij viti nuk kanë arritur ende rë rikuperojnë, duke mbetur sërish 33% më pak se para-pandemia.
Edhe në Maqedoninë e Veriut, në janar fluturimet ishin 21% më të ulëta se janari 2019 dhe në shkurt 33.5% më pak. E njëjta tendencë është dhe me Serbinë (-14.8% dhe -26.4%) dhe malin e Zi (-30.3% dhe -26.7%).
Sipas Eurostat, Në mars 2022, numri i fluturimeve komerciale në BE u rrit me 156% krahasuar me marsin 2021. Megjithatë, ky është ende nën nivelet para pandemisë (-27% krahasuar me mars 2019).
Në terma absolutë, numri i fluturimeve komerciale ishte 389 181 në mars 2022, krahasuar me 151 986 në mars 2021, 296 362 në mars 2020 dhe 530 400 në mars 2019.
Vendet e BE-së me uljet më të ulëta të fluturimeve komerciale në mars 2022 ishin Kroacia (-6% krahasuar me mars 2019), Portugalia (-8%) dhe Greqia (-12%). Në të kundërt, fluturimet u ulën më së shumti në Slloveni (-56%), Suedi (-45%), Letoni (-43%), Çeki (-42%) dhe Finlandë (-41%)./Monitor