Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Bëhet fjalë për të paktën 30 të shtëna që kanë tronditur banorët e fshatit Bube të Komunës së Zubin Potokut që ndodhet pranë pikës kufitare. Rasti është denoncuar në stacionin policor në Zubin Potok dhe zyrtarët policorë kufitarë kanë deklaruar se kur kanë qenë në fshatin Paragovë, kanë dëgjuar disa të shtëna nga një armë zjarri.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Express se deri tani nuk raportohet për të plagosur apo viktima. Nuk di as të thotë nëse ka të bëjë me ndonjë ngjarje kriminale apo nëse bëhet fjalë për ndonjë provokim në kufi për të ndezur konfliktet mes dy vendeve.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, mund t’ju informojmë se në afërsi të fshatit Bube, janë dëgjuar disa të shtëna me armë. Të shtënat nuk ndërlidhen me ndonjë rast policor dhe se ende nuk dihet nëse rasti ka ndodhur në pjesën e Republikës së Kosovës apo të Serbisë,”- ka thënë Kelani.