Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka takuar ditën e sotme Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejkon.
Sejko ka bërë me dije dhe se për çfarë u fol në takimin e tyre. Takimi u zhvillua në kuadër të rizgjedhjes së Guvernatorit Sejko me një mandat të dytë si drejtues i institucionit të bankës qendrore dhe kishte në fokus rikuperim e ekonomisë në situatën post-pandemisë, por dhe mjedisin kompleks të krijuar si pasojë e agresionit rus ndaj Ukrainës.
Njoftimi i plotë i Bankës së Shqipërisë:
Në datën 15 prill 2022, Guvernatori Gent Sejko zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, SH.S.Zj. Yuri Kim, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Ky takim u zhvillua në kuadër të rizgjedhjes së Guvernatorit Sejko me një mandat të dytë si drejtues i institucionit të bankës qendrore. Në krye të bisedës Ambasadorja Kim e uroi Guvernatorin duke vlerësuar se kjo rizgjedhje e tij mbështet qëndrueshmërinë e Bankës së Shqipërisë si një institucion kyç në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
Në vijim të bisedës në fokus ishte situata ekonomike post Covid-19 në Shqipëri dhe mjedisi kompleks i krijuar tashmë për shkak të tensionit gjeopolitik nga sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.
Guvernatori u shpreh se pas një rikuperimi të fortë të ekonomisë shqiptare që pasoi pandeminë gjatë vitit 2021, këtë vit, ekonomia jonë po përballet me sfidën e re ndërkombëtare, atë të rritjes së çmimeve.
Në vijim, Guvernatori shtoi se bazuar në tendencat aktuale dhe informacionin e disponueshëm, pritet që kjo goditje e çmimeve, nga ana e ofertës, të ketë një ndikim të konsiderueshëm, megjithatë nuk do të prishë rimëkëmbjen e vazhdueshme ekonomike dhe pritet të jetë kalimtare.
Sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e volatilitetit dhe e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare diktuan një rishikim të projeksioneve të mëparshme të Bankës së Shqipërisë dhe nevojën e rivlerësimit të përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare.
Gjatë bisedës, Guvernatori shtoi se në këtë ambient dinamik, politikëbërësit po përballen me dilema të politikave të tyre. Politika monetare duhet të fokusohet në stabilitetin monetar dhe financiar pa penguar në mënyrë të panevojshme rimëkëmbjen, ndërsa politika fiskale duhet të lehtësojë barrën e shtresave të varfra të shoqërisë dhe sektorëve vulnerabël të ekonomisë pa rrezikuar borxhin publik.
Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë reagoi nëpërmjet instrumentit të politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend, si dhe për të minimizuar pasojat që goditja e çmimeve mund të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar.
Guvernatori e siguroi Ambasadoren Kim se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme ligjore e rregullative që disponon, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet në vend, me qëllim përballimin e kësaj situate, duke ruajtur parametrat makroekonomikë, si dhe stabilitetin e çmimeve e atë financiar në vend.
Në vijim, Guvernatori Sejko prezantoi gjendjen e sektorit bankar në vend duke theksuar se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar, ku mund të përmendet raporti i kredive me probleme i zbritur në nivelin aktual prej 5.4%.
Nga ana e saj, Ambasadorja Kim vlerësoi rolin që Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar kanë luajtur në vazhdimësi, si dhe mbështetjen që Banka e Shqipërisë po jep për minimizimin e efekteve të mundshme negative të krijuara tensioni gjeopolitik.
Ambasadorja vuri theksin në rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës nga institucionet në vend, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.
Gjithashtu, Ambasadorja Kim vlerësoi marrëdhëniet mjaft të mira që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë dhe shprehu gatishmërinë e saj për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë situatë.
Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi Ambasadoren Kim për takimin, duke i vlerësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një partner strategjik mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë.