-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gjergj Fishta dhe Kupe Dane

Kryesoret

Nga Bedri Islami

Dy histori domethënëse, si urim për miqtë e mi në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe  Pashkët e bekuara!

Shpeshherë, ne, shqiptarët, kemi dashur të jemi pjesë e jetës, duke hyrë nga porta e madhe e saj, duke harruar mësimin e librit të shenjtë, Bibla, se “në të vërtetë, dera që të çon në rrënim është e gjerë dhe rruga që të shpie atje është e lehtë… Por dera që të çon në jetë është e ngushtë dhe rruga për atje është e vështirë. Pak njerëz kalojnë nëpër të”.

Pak vende të tjerë kanë  martirët e kishës së shekullit të njëzet! Nuk jemi vendi i vetëm që kemi martirë të kishës, por si duket, do të jemi nga të fundit. Në Ditët e Pashkëve ringjallen edhe ata që nuk janë më, që u shuan duke pritur ditët e bardha të këtij vendi, dhe, me atë që mundën, bënë gjithçka për ta afruar atë. I presin presin edhe ata që, binomin, fe e atdhe, e kishin një, pavarësisht se çfarë besimi fetar i takonin.

Dy rrëfimet e mia kanë të bëjnë me Gjergj Fishtën, poetin kombëtar, dhe, nga ana tjetër, me Kupe Danen, një shkodran i zakonshëm, i besimit musliman, që, në një ditë të pazakontë të jetës së tij, shkroi historinë që është edhe sot e kësaj dite simbol i rrëfimit të besëlidhjes njerëzore.

1.

Një nga ata që do të jetë me Ju,miqtë e mi të krishterë,  si një shpirt i shenjtë i Kishës, por edhe i Shqipërisë, do të jetë atë Gjergj Fishta, poeti ynë kombëtar. Unë kam dëshirë të ju sjell sot, si një mesazh nga Ai, dy pjesëza të vogla, që më shumë se gjithçka, dëshmojnë se çfarë mrekullie ka pasur në vete ky popull, kur në jetë hynte nga porta e vogël, e mundimshme, e vështirë dhe njëkohësisht e qëndrueshme.

Më 28 nëntor 1913, njëqind e një vite më parë, në qytetin qendër të kristianizmit, Shkodër, ku jetonin bashkë, thuajse në përqindje të njëjtë katolikë dhe myslimanë, do të ngrihej flamuri kombëtar. Një burrë i shquar, Muharrem Beg Gjylbegu, kryetari i bashkisë, do të ngrinte flamurin. Në qendër të qytetit, nga njëra anë ishte xhamia e Fushë Çelës, nga ana tjetër, rreth 100 metra më tej, ishte Kisha e Gjuhadolit. Atë natë flamuri, kumbanorja e kishës dhe minarja e xhamisë, u lidhën përmes një teli, ku në mesin e kandilave kuq e zi, valëvitej flamuri ynë kombëtar.

Fishta shkruante: “Ishin mbledhë t’thuesh 20 mijë vetë, ma zotnitë shkodranë, ku ishin ma t’zgjedhunit… M’atë ditë për tamam m’asht gëzue zemra, jo vetëm pse isha tujë pa muhamedanë e t’kshtenë t’vllaznuem nën hije të flamurit t’Shqypnisë, po edhe për burrnië e bujarië, me t’cilën ky popull asht tujë u interesue me ngjallë Shqypninë e vendin e vet. Kështu kisha dasht me punue gjithmonë për Shqypni; popull e punë shumë; zhurmë saa maa pak”.

Në një rast tjetër, Fishta shkruan:

“Në veri të Shqypnisë, pra asht një bajrak, i Hotit, ku të gjithë janë katolikë përpos shtëpisë së bajraktarit, qi asht muhamedan. Tash ndodhi qi n’vjetin 1904 kisha e atij bajraku mbet pa meshtar për shumë ditë. Kur qe, një ditë ndër dit, bajraktari me një tjetër në krye t’atij vendi, po ulet në Shkodër, fill e te i pari i Fretënve, e muhamedan tuj kenë, i thotë: “Pasha Zotin, Zotni, kisha jonë ka mbetë keq pa Fraat. As s’ka kush na beko shpirt për s’gjalli, as vorret për s’dekuni. Rixha kam me zotninë tande me na çue Fraatin sa ma parë te kisha se kem mbetë keq”.

Si Ju thashë, miqtë e mi, të parët tanë e kishin ditur më mirë se në portën e vogël për me mbajtë gjallë shpirtin e me ngritë vendin.

2.

Jam krejt i bindur se shumë pak sot, tepër pak, e dinë emrin e Kupe Danes. Edhe romani i bukur i shkrimtarit Fadil Kraja, “Britma e një gruaje”, nuk mund të bënte më tepër.

Kush ishte Kupe Dane dhe çfarë lidhje ka me rëfimin tim të sotëm:

Kupe Dane ishte një njeri mëse i zakonshëm në qytetin e Shkodrës. Hallexhi. Herë rrobaqepës dhe herë kafepjekës. Kur ishte i ri, shkoi në Luftën e Miletit, si quhej, për të mbrojtur Hotin e Grudën, Tivarin e Ulqinin. Kur u plak, ndihmonte me atë që kishte mundësi.

Në një ditë zhegu,muaji i shenjtë i Ramazanit,  kur rrugët ishin boshatisur nga vapa, Kupe Dane po shkonte për të kryer një punë të tij. Krejt i vetëm, dy kobure në brez, si ishte zakoni. Para tij dy gra të krishtera, të mbuluara, po shpejtonin hapat e, pas tyre, dy ushtarë turq. Gratë e kuptuan se ishin në hall, turqit kërkonin t’i ndalonin me forcë.

Rruga ishte bosh, në atë vend, Qafë Hardhi quhej, nuk kishte këmbë njeriu. Ata e panë Kupe Danen dhe i thirrën “Në dorë tande, në qofsh shqiptar, se po na merret erzi(nderi) sot”.

Kupe Dane u tha ushtarëve të largohen, por, duke e parë plak njeri, nuk e vlerësuan burrin e Shkodrës dhe u sulën mbi gratë. Kupe Dane nxorri koburen dhe vrau nizamin e parë turk. Tjetri e mësyu Kupe Danen, por ky, më i shpejtë, nxorri koburen e dytë dhe vrau edhe ushtarin tjetër.

Fenë, tha ai, secili e ka për vete, nderin e kemi të përbashkët.

Ushtria turke e kërkoi, e dënoi me vdekje në mungesë, por nuk e gjeti kurrë. I dogjën shtëpi e katandi, por Kisha Katolike dhe popullsia muslimane e qytetit,  i ngriti një shtëpi të re, edhe më të bukur.

Një këngë e vjetër thotë:

Vrasjen kurrë nuk e kam dashtë,

por kismet kështu paska kenë;

mbasi nderin e kena bashkë;

muslimanë, edhe të kështenë.

M’u muer malli e m’u dogj shtëpia

edhe robtë më janë ba hasi,

u çue priftë e popullsia

e goditë ma kanë përsëri…

Miqtë e mi, edhe Kupe Dane hyri në një rrugë të ngushtë… por mbeti në memorien e njerëzve, si një njeri fisnik, që kishte të shenjtë nderin e motrave të tij, pa marrë parasysh se në cilin emër e thërrisnin zotin e tyre.

Miqtë e mi të besimit islam , në muajin e shenjtë të Ramazanit, me siguri do e kujtojnë Kupe Danen, njeriun hallexhi, me dy kobure, që nuk u nis për të bërë histori, por, në fakt, e bëri atë.

xxx

Një vit e më shumë Kupe dane qëndroi i strehuar në një dhomë në shtëpinë e Gjylbegajve, ndërsa familja e tij u strehua me kujdesin e Arqipeshkvisë së Shkodrës në një familje të krishterë, deri sa ,me kërkesën e Parisë së Qytetit dhe krerëve të Maleve erdhi falja nga qeveria turke!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit