Javën e kaluar Policia e Kosovës është sulmuar pesë herë në veri të vendit. Sulmet ndaj Policisë kanë ndodhur me vendosjen e iriqëve metalikë në rrugë, gjuajte me gurë, madje janë përdorur edhe AK 47 dhe granatë dore.
Sulmi i fundit ka ndodhur të shtunën në orët e hershme mëngjesit në Sharpej të Jarinjës ku kanë ndodhur dy shpërthime, e që dyshohet nga mjete piroteknike.
Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Për sulmet ndaj Policisë së Kosovës ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe njohës të sigurisë.
Kurti ka thënë se këto sulme ishin terroriste dhe se për qëllim kishin vrasje.
“Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale.
U takon organeve të rendit edhe për të bërë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çfarë duhet të ndërmarrim në vijim që të pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët që kanë pasur për qëllim të vrasin”, ka thënë Kurti