Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po bojkotojnë punën e Kuvendit të Kosovës.
Të mërkurën, më 20 prill, deputetët e këtyre partive opozitare kanë refuzuar të marrin pjesë në komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.
Ky veprim i opozitës për bojkotim u bë pasi të martën, më 19 prill, në seancën e Kuvendit të Kosovës, nuk u arrit të futej në rend të ditës formimi i një komisioni hetimor parlamentar që do të kishte për qëllim hetimin e menaxhimit të krizës energjetike, si dhe shkeljet eventuale gjatë punësimeve së fundi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Komisioni hetimor është inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra që është pjesë e Komisionit për Integrim Evropian, tha se partia e saj nuk do të marrë pjesë në asnjë votim të projektligjeve përderisa nuk formohet komisioni hetimor.
“Ne kemi pasur dy tentativa dhe keni parë që dje (19 prill), ka dështuar të miratohet një komision i tillë, i cili do të vendosë dritë mbi ato shumë parregullsi që kanë ndodhur në proces të shitjes së energjisë elektrike, por edhe shumë punësime që kanë ndodhur në KEK”, tha Deliu – Kodra.
Konfirmimin për mospjesëmarrje në punët e komisioneve të Kuvendit të Kosovës e kanë konfirmuar në këtë takim edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, si dhe Rrezarta Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Si pasojë e bojkotit, dështoi raportimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Pas bojkotit nga deputetët e partive opozitare dështoi edhe mbajtja e Komisionit për Legjislacion.
Partitë opozitare të martën, më 19 prill, lëshuan edhe seancën e Kuvendit të Kosovës pasi nuk u arrit formimi i komisionit hetimor.
Deri në formimin e këtij komisioni, opozita ka thënë se nuk do të votojë asnjë projektligj.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, tha se Ligji për hetimin parlamentar nuk lejon formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike.
Ajo tha se kryesues i komisionit duhet të zgjidhet nga partitë që nuk janë iniciuese të themelimit të komisionit. Për këtë ajo inkurajoi opozitën që të kërkojë interpretim në Gjykatë Kushtetuese./ REL