“Barrierat po ndikojnë ofertën. A kemi ndonjë plan ne për këtë? Po mbillet misri i lashtë, në maj mbillet ai i mesëm. A kemi ndonjë plan ne për të rritur këto sipërfaqe. Nevojitet menjëherë.
Njerëzit më të rëndësishëm sot janë bujqit, janë fshatarët. Na duhet një plan që nuk e kemi ende, jo vetëm për tregtarët, por edhe për bujqit. Çmimet me të cilat po shiten plehrat kimike, janë të miratuara nga qeveria?”, u shpreh Braçe në Kuvend.
Kështu u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe pasditen e së enjtes në Kuvend teksa foli për situatën e rëndë që është duke kaluar bujqësia në vend si pasojë e rritjes së çmimeve të plehrave kimike.
Më herët në Kuvend, Braçe u tregua i ashpër me qeverinë e kaluar, por dhe aktualen. Së pari, ai tha se sa herë që flitet për energjinë i pari që duhet të japë llogari është Sali Berisha për kërdinë që ka bërë me burimet energjetike të vendit. Më pas deputeti socialist kaloi te situata aktuale duke kërkuar transparencë për vendosjen e çmimeve nga bordi i transparencës për karburantet, si funksionojnë grositët, ndërsa ka ngritur dyshime për fitimet e tyre.