Zv/ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Richard Mills, pret që gjatë këtij muaji të takohen kryenegociatorët e dialogut Kosovës-Serbi.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet platforma më e mirë për arritjen e progresit, jo vetëm ndaj tensioneve ekzistuese, por edhe për çështjet që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve në rajon. Prandaj mirëpresim planin e përfaqësuesve specialë të BE-së për të pritur kryenegociatorët nga të dyja palët këtë muaj për të vazhduar këtë punë të rëndësishme”, deklaroi Mills.
Ai qartësoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara së bashku me partnerët evropianë për të nxitur shoqëritë paqësore të prosperuara shumë-etnike që mbështesin respektin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara nxisin fuqimisht të dyja palët të angazhohen energjikisht dhe me të gjitha aspektet e dialogut të lehtësuar nga BE për të gjetur zgjidhje për çështjet e pazgjidhura, për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe për të bërë përparim konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve me synimin e njohjes reciproke”, tha Mills.
Ai i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të rifillojnë bashkëpunimin për personat e zhdukur, dhe se sipas tij, ky grup punues më parë ka arritur rezultate të prekshme në dhënien e përgjigjeve për familjet e të zhdukurve.
“Dhe ne i bashkohemi Sekretarit të Përgjithshëm dhe përshëndesim angazhimin e të dyja palëve për të çuar përpara përpjekjet e tilla, duke përfshirë procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shprehet Mills.