-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kosova dhe Serbia përplasen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Kryesoret

Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza gjatë një mbledhjeje që u mbajt në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 20 prill.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se shteti i Kosovës nuk ka dalë nga “lëvizjet separatiste, por nga gjenocidi”, ndërkaq homologu i saj serb, Nikolla Sellakoviq, akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime kundër serbëve, përfshirë edhe për trafikim organesh.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Gërvalla tha se është krenare me UÇK-në, “me burrat dhe gratë që mbrojtën njerëzit e tyre dhe shtëpitë e tyre”. Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shërbyer si ministër i “Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq”.

Sellakoviq iu kundërpërgjigj duke thënë se “kasapët e vërtetët të Ballkanit” gjenden në Hagë të dyshuar për krime lufte, duke përmendur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli, të cilët gjenden në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përderisa Gërvalla tha se personi që ka shkruar një raport për krimet e pretenduara të luftës, senatori Dick Marty, ka qenë cak i një atentati të planifikuar nga shërbimet e inteligjencës, Sellakoviq, i quajti raportimet si “të paverifikuara”.

Gërvalla: Serbia dhe Rusia, kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në Ballkan

Kryediplomatja Gërvalla tha po ashtu se Serbia dhe Rusia janë kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Serbia është kërcënimi më i madh për normalizim të raporteve dhe stabilitet në rajon”, tha Gërvalla.

Ajo tha se Kosova është pjesë e Perëndimit, “ndërkaq Serbia vazhdon të jetë satelit i Rusisë”, duke shtuar se sipas saj, kjo është arsyeja pse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Ajo tha se me armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit janë të kërcënuara nga Serbia, pasi tha se ky shtet ka një “ushtri që është e gatshme të sulmojë”.

Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla po ashtu foli edhe për sulmet e fundit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, duke i cilësuar si “terroriste” dhe duke fajësuar Beogradin se po lejon që ato të ndodhin.

“Sulmet po vijnë nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq nuk do t’i toleronte ato”, tha Gërvalla.

Javën e kaluar, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për pesë sulme ndaj Policisë së Kosovës. Më 15 prill, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, policët kosovarë janë sulmuar me armë zjarri dhe granata, teksa po shkonin të merrnin ndërrimin në pikën kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës.

Kosova ka akuzuar Serbinë për këto sulme dhe ka thënë se ato synojnë që ta destabilizojnë Kosovën.

Kosova, sipas kryediplomates Gërvalla, është e gatshme për dialog me Serbinë, si mënyrë për të ecur përpara, por ajo tha se Serbia fillimisht duhet të “pranojë realitetin” se Kosova është shtet i pavarur, duke përsëritur kërkesën e Kosovës se ky proces, që ndërmjetësohet nga BE-ja, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Serbia: Qeveria e Kosovës me qasje diskriminuese ndaj serbëve

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, përmendi vendimet e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e një referendumi kushtetues serb, dhe më pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 3 prillit.

“Kjo ishte hera e parë që prej vitit 1999 që qytetarëve serbë iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje. Institucionet në Kosovë edhe njëherë demonstruan qasjen e tyre diskriminuese”, tha ai.

Sellakoviq kujtoi protestat e serbëve në shtator të vitit të kaluar, për shkak të masës së reciprocitetit për targat nga Serbia, duke thënë se ky vendim kishte për qëllim “frikësimin e serbëve”.

Ai iu referua protestave të serbëve, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga Serbia. Tensionet u ulën më 30 shtator, kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje të përkohshme për targat, e cila skadon më 21 prill.

Sellakoviq tha se serbët në Kosovë po përballen me kërcënime dhe qasje diskriminuese nga institucionet e Kosovës.

“Serbët po kërcënohen, po inkurajohen të largohen nga shtëpia e tyre dhe të zhvendosin po dekurajohen të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Por, Gërvalla tha se Kosova ka një prej kushtetutave më moderne që garantojnë të drejtat e komuniteteve joshumicë.

Duke folur për dialogun e ndërmejtësuar nga BE-ja, Sellakoviq kërkoi që Kosova të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura, veçmas atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“[Qeveria e Kosovës] thotë se themelimi i Asociacionit nuk do të lejohet. Kjo vetëm që nuk minon dialogun, por direkt poshtëron faktorin ndërkombëtar, së pari BE-në”, tha Sellakoviq.

UNMIK dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Ndërkaq, përfaqësuesja e posaçme e OKB-së në Kosovë, njëherësh udhëheqësja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, përmedi disa prej zhvillimeve kryesore.

Ajo tha se sulmet e fundit të raportuara ndaj Policisë së Kosovës, janë sulme kriminale dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët dhe kushdo që ka informacione për keqbërësit duhet t’iu drejtohet institucioneve, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ziadeh po ashtu foli për vendimin e Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, duke thënë se i “vjen keq” për një vendim të tillë.

UNMIK, sipas saj, do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës dhe shoqërinë civile.

Sërish kërkohet përfundimi i mandatit të UNMIK-ut

Por, Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria bënë thirrje që të përfundojë mandati i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, pasi vlerësuan se mandati i saj në Kosovë më “nuk është i nevojshëm”.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, tha se Kosova ka institucionet e saj, andaj, UNMIK nuk mund të jetë një mision administrativ.

“UNMIK më nuk po luan rol në jetën e qytetarëve dhe shtetit tonë”, tha Gërvalla.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, tha se UNMIK ka përmbushur mandatin dhe kërkoi që raportimet e tij para OKB-së të bëhen vjetore.

“Ne sërish bëjmë thirrje që këshilli t’i jep fund mandatit të UNMIK-ut”, tha përfaqësuesi i OKB-së dhe theksoi se në Kosovë “një mision paqeruajtës më nuk është i nevojshëm”.

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Ferit Hoxha, tha se roli i UNMIK-ut është minimizuar dhe ka përfunduar qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, pasi gradualisht kompetencat e këtij misioni i janë bartur Kosovës.

Ai tha se duhet të ngrihet pyetja pse duhet të ketë prezencë të UNMIK-ut në Kosovë.

“Ky mision nuk ka asnjë rol në proceset kyçe të Kosovës”, tha ai, duke përmendur se dialogu me Serbinë ndërmjetësohet nga BE-ja, siguria në Kosovë është nën mandatin e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it dhe sistemi gjyqësor i Kosovës po forcohet.

Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës. UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.

Institucionet e Kosovës kanë kërkuar më herët që misioni i UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë.

Thirrjet për rinisjen e dialogut

Përfaqësuesit e SHBA-së, Francës, Britanisë dhe shteteve të tjera të KS të OKB-së u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesi i SHBA-së tha se dialogu në Bruksel vazhdon të mbetet platforma më e mirë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, ndërkaq Franca tha se është e nevojshme që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve që do të ishte ligjërisht e obligueshme.

Nga Britania ftuan Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që mund të nxisë përshkallëzim të tensioneve, duke kujtuar tensionimin e situatës në veri të Kosovës në shtator të vitit 2021, kur serbët lokalë bllokuan rrugët për në pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, për shkak të vendosjes së reciprocitetit për targat e makinave nga Serbia.

Përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë thanë se nuk kanë ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës, teksa këto dy shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, dhe konsiderohen aleate të Serbisë, raporton REL.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit