Në një transmetim maratonë prej thuajse tre orësh, është përmbyllur debati presidencial mes Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, dy kandidatët, të cilët do të përsërisin duelin e vitit 2017 për kreun e Elysee-së dhe mandatin e ardhshëm pesë-vjeçar, i cili mund të ndryshojë fatin jo vetëm të Francës, por të gjithë Evropës.
Pikërisht qasja e dy kandidatëve karshi Bashkimit Evropian, ishte çfarë e nxiti fillimisht debatin dhe e bëri atë më interesant.
Macron tha se rivalja e tij nuk është personi i duhur për të udhëhequr fuqinë evropiane të armatosur me armë bërthamore, me një popullsi të larmishme dhe për t’u marrë me Moskën.
Ai u përpoq ta portretizonte zonjën Le Pen si thelbësisht të pabesueshme, duke e akuzuar atë për pandershmëri dhe për përdorimin e shifrave të gabuara në premtimet e saj zgjedhore.
Le Pen, nga ana tjetër, u përpoq të tërhiqte votuesit e pakënaqur me çmimet në rritje, të shkaktuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ajo tha se ulja e kostos së jetesës do të ishte përparësia e saj kryesore nëse zgjidhet në postin e presidentes, që do ta bënte atë presidenten e parë të Francës, duke e portretizuar veten si kandidate për votuesit që nuk mund të përballojnë jetesën. Ajo tha se presidenca e zotit Macron e kishte lënë vendin thellësisht të ndarë dhe ajo iu referua në mënyrë të përsëritur të ashtuquajturës lëvizje të “jelekëve të verdhë” që tronditi qeverinë e tij përpara pandemisë së COVID-19 me muaj të tërë protestash të dhunshme kundër politikave të tij ekonomike.
“Franca duhet të bashkohet sërish”, tha ajo.