Kanë kaluar 24 orë nga atentati që u bë ndaj Kujtim Metës në Lushnjë.
Ai është 44-vjeç, babai i 2 fëmijëve dhe pa precedent të mëparshëm penal, është mësuar nga policia.
Kujtim Meta, pasditen e të mërkurës, sapo kishte mbaruar punën e tij me kamion është ulur në një kafene te ish-stacioni i trenit në Lushnjë, dhe pa kaluar as 20 minuta një mori plumbash janë shkrepur ndaj tij. 2 plumba në bark dhe 2 në zona të tjera të trupit kanë vënë në rrezik jetën e tij. Pronari i lokalit ka qenë ai që ka ofruar ndihmën e parë duke e dërguar atë me makinën personale drejt spitalit të Lushnjës, më pas për shkak të gjendjes së rëndë Meta është dërguar te spitali i Traumës, ku dhe po merr mjekimin e nevojshëm.
Policia është ende duke hetuar për të bërë identifikimin e autorit, pas marrjes së pamjeve filmike të lokalit, ku ndodhi ngjarja. Por identifikimi i tij është bërë gati i pamundur për shkak se ai mbante një maskë antiCovid dhe syze të zeza në momentin që i ka drejtuar armën Metës.