Tre senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen do të vizitojnë sot Kosovën ku do takohen me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Kështu ka njoftuar Chris Murphy përmes Twitter. Ai ka thënë se kjo vizitë do të realizohet për të forcuar lidhjet e SHBA-së me Ballaknin.
“Ndërsa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ata do të përpiqen të krijojnë probleme në rajonet e brishta të afërta. Unë jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje këtë javë me @SenatorShaheen dhe @SenThomTillis për të forcuar lidhjet e SHBA me Ballkanin përballë përpjekjeve të huaja për të minuar paqen”, ka shkruar Murphy.
Vizita e këtij delegacioni amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor është nxitur nga zhvillimet në Ukrainë dhe lufta që Vladimir Putin ka nisur atje.
Gjatë gjithë kësaj kohe që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë, ka pasur paralajmërime se rajoni mund të jetë objektiv i Putinit për destabilizim dhe kjo ka alarmuar Perëndimin.