Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj nuk i njohin pozicionet e njëri tjetrit. Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj pas përfundimit të mbledhjes së grupit, akuzoi Sali Berishën se erdhi sërish i paftuar dhe prishi mbledhjen duke bërë zhurmuesin.
Ndalur te çështja e presidentit, Berisha është i prerë që duhet të refuzohen negociatat me PS-në, por Alibeaj thotë se ky është detyrim i partisë më të madhe në opozitë dhe nuk duhet t’ shmanget përgjegjësisë që i kanë dhënë qytetarët.
“Në mbledhjen e grupit ka gjithmonë zhurmë, pasi vjen zoti Berisha i paftuar, pa asnjë lloj roli, jep opinionin e tij, është influent për qëndrimin e grupit. Procesi i zgjedhjes së presidentit është i rëndësishëm, pavarësisht rolit, kompetencave dhe marrëveshjes së 2008, Berisha-Rama që degradon në raundin e katërt dhe të pestë me 71 vota.
Opinioni im është i qartë; Edi Rama nuk e ka të drejtën të zgjedhë presidentin se nuk i ka 84 vota, por as me shumicën e thjeshtë nuk e ka, sepse 74 vota mori nga masakra elektorale, por 4 deputetë të tij nuk përfaqësojnë më zërin e qytetarëve, dy janë pas qelisë, dy janë dizenjuar non grata.
Kemi dy rrugë, ose me bishtin ndër shalë të shmangemi. Kjo nuk funksionon dhe prandaj duhet të përballemi dhe jo duke ikur, por duke ja grisur fasadën me zarfe apo shoqëri civile” tha ai.